Site icon Telegrafi

“Te Hajduku i Splitit si në Kosovë” – pengu i madh i Emir Sahitit

Emir Sahiti nuk e harron kohën e kaluar te gjiganti kroat Hajduku i Splitit.

Sulmuesi kosovar u largua nga klubi i madh pas gjashtë viteve qëndrim, teksa në verë iu bashkua Hamburgut në Bundesliga 2.

Në një intervistë për Telegrafin, Sahiti ka thënë se koha te Hajduku ishte më e mira, pasi ai ndihej si në shtëpinë e tij në Kosovë gjatë qëndrimit në Split.

“Te Hajduku jam ndjerë si në shtëpinë time, sikur të isha në Kosovë”, tha fillimisht Sahiti.

“Kam kaluar gjashtë vite të mrekullueshme në Split, një klub i madh, me tifozë të zjarrtë. Ishte qyteti shumë i bukur, i nxehtë për dallim me Hamburgun që koha nuk është më e mira”, tha Sahiti duke qeshur.

Atij i ka mbetur peng që nuk ka arritur ta fitoj titullin e kampionit me Hajdukun, por shpreson që një gjë të tillë klubi kroat do ta arrijë këtë vit.

“Sigurisht që e kam peng në karrierë që nuk e kam fituar titullin me Hajdukun. Uroj që ta fitojnë këtë vit pas janë vetëm një pikë mbrapa Rijekës. Shpresoj që ata ta fitojnë në Kroaci dhe ne (Hamburgu) në Bundesliga 2 do të shkoja në dy festa”, ka deklaruar Sahiti.

Sahiti qëndroi te Hajduku për gjashtë vite, derisa ka luajtur në 121 ndeshje zyrtare ku ka shënuar 18 gola dhe ka dhuruar 16 asistime. /Telegrafi/

Exit mobile version