Please enter at least 3 characters.

"Të gjithë janë të lodhur nga lufta në Ukrainë", deklaron shefja e OKB-së për migracionin

Lodhja nga lufta në Ukrainë dhe shkurtimet e ndihmës së huaj të udhëhequra nga SHBA po rrezikojnë përpjekjet për të mbështetur njerëzit që largohen nga vështirësitë, paralajmëroi udhëheqësja e agjencisë së migracionit të OKB-së.

Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Amy Pope, foli një ditë pasi një konferencë për rimëkëmbjen e Ukrainës në Romë mobilizoi mbi 10 miliardë euro për vendin.

"Kanë kaluar tre vjet e gjysmë në konflikt. Mendoj se është e drejtë të thuhet se të gjithë janë të lodhur dhe e dëgjojmë këtë edhe nga ukrainasit që kanë përjetuar sulmet e vazhdueshme në qytetet e tyre dhe shpesh janë zhvendosur disa herë", tha ajo.

"Megjithatë, përgjigjja ndaj kësaj duhet të jetë paqja, sepse në fund të fundit, pa paqe, nuk do të ketë fund, jo vetëm për kërkesën për financim, por edhe për mbështetjen për popullin ukrainas."

Bëhet e ditur se pushtimi i Rusisë ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë këtë shekull, me 5.6 milionë refugjatë ukrainas në nivel global dhe 3.8 milionë të zhvendosur në vendin e tyre, sipas të dhënave të OKB-së.

IOM dhe agjencitë e tjera të OKB-së pengohen nga mungesa të mëdha financimi, ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump shkurton ndihmën e huaj dhe donatorët evropianë si Britania i zhvendosin fondet nga zhvillimi në mbrojtje, shkruan Reuters.

Vendimet e SHBA-së do t'i japin IOM-it një mungesë prej 1 miliard dollarësh këtë vit, sipas Pope, me reduktimet e buxhetit që duhet të bëhen gradualisht, përndryshe Trump dhe të tjerët rrezikojnë të nxisin kriza edhe më të këqija të migracionit.

"Nuk funksionon të kesh ofruar ndihmë dhe pastaj thjesht të largohesh pa lënë asgjë. Dhe ajo që shohim të ndodhë kur mbështetja bie është se njerëzit lëvizin përsëri... Pra, (shkurtimet) në fund të fundit mund të kenë një reagim negativ", tha ajo.

Ndryshe, Pope, 51 vjeç, është gruaja e parë që drejton IOM-in dhe një ish-këshilltare në administratat e Obamas dhe Biden, e cila tani po punon me Shtëpinë e Bardhë të Trumpit për të ashtuquajturat "vetë-deportime".

Ajo tha se IOM ka dekada përvojë me programe të tilla në Evropë dhe ato kërkojnë kohë për t'u zbatuar, veçanërisht për të përgatitur të kthyerit dhe për të kontrolluar nëse po shkojnë vullnetarisht.

"Kjo nuk lëviz gjithmonë aq shpejt sa do të donin qeveritë", tha Pope.

E pyetur nëse IOM do të ndalonte së punuari me SHBA-në nëse kthimet rezultojnë të jenë të detyruara, ajo tha: "Ne ua kemi bërë të qartë atyre se cilat janë standardet tona, dhe si me çdo shtet anëtar, ne përshkruajmë se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë nuk mund të bëjmë, dhe ata e kuptojnë këtë, dhe është pjesë e marrëveshjes." /Telegrafi/