Komuna e Istogut, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, ka përfunduar me sukses pajisjen e të gjitha shkollave me gjeneratorë të rinj, duke garantuar një mjedis më të qëndrueshëm për procesin mësimor.
Me këtë projekt synohet vijueshmëria e mësimit edhe gjatë ndërprerjeve të mundshme të energjisë elektrike, për të ofruar kushte më të mira për nxënësit dhe stafin arsimor.
Komuna e Istogut e ka bërë të ditur këtë lajm përmes rrjetit social Facebook, në të cilin synojnë të sigurojnë një mjedis më të qëndrueshëm.
“Komuna e Istogut, përkatësisht drejtoria e Arsimit ka përfunduar me sukses pajisjen e të gjitha shkollave me gjeneratorë të rinj, duke siguruar një mjedis më të qëndrueshëm për procesin mësimor. Me këtë synojmë vijueshmërinë e mësimit edhe gjatë ndërprerjeve të mundshme të energjisë elektrike, duke ofruar kushte më të mira për nxënësit dhe stafin arsimor”, kanë shkruar ata në postim, transmeton Telegrafi.
Ndërsa Kryetari Ilir Ferati ka shprehur përkushtimin e tij për të rritur standardet e edukimit në këtë komunë.
“Kjo nismë është pjesë e përkushtimit për të përmirësuar infrastrukturën arsimore dhe për të rritur standardet e edukimit në Istog”, ka thënë Ferati. /Telegrafi/