Site icon Telegrafi

Të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq – të dyshuar për sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator të këtij viti në Banjskë të Zveçanit, iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M., iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, ka thënë Gashi.

Tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë, gjendën në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.

Aksioni në Banjskë të Zveçanit kishte nisur në orët e hershme të së dielës (24 shtator 2023) ku ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy policë të tjerë. Pastaj, Policia kishte vrarë tre terroristë ndërsa sulmuesit tjerë kishin arritur të largoheshin pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës. /Telegrafi/

Exit mobile version