Site icon Telegrafi

Të dielën MTV EMA 2022 pushtohet nga shqiptarët – Rita Ora prezantuese, Bebe Rexha dhe Ava Max performuese e Dua Lipa e nominuar për çmim

Këtë të diel më 13 nëntor mbahet mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve të muzikës ndërkombëtare, MTV Europe Music Awards 2022.

Në një transmetim direkt nga Dyseldorfi i Gjermanisë, eventi i përvitshëm do të nderojë me çmime artistët dhe arritjet më të mëdha muzikore evropiane këtë vit.

Akoma më i veçantë edicioni i sivjetmë i MTV EMA do të jetë për shqiptarët, pasi do të ketë një prezencë të madhe shqiptare këtë vit në spektaklin e madh.

Trofeu i MTV Europe Music Awards (Foto: MTV)

Duke nisur që nga prezantuesja, të nominuarit e deri te artistët që do të performojnë, MTV Europe Music Awards do të ketë më shumë shqiptarë se asnjëherë tjetër.

Fenomeni shqiptar me renome botërore, Rita Ora, do të jetë nikoqirja e mbrëmjes dhe krah saj do të jetë bashkëshorti i saj, regjisori me prejardhje nga Zelanda e Re, Taika Waititi.

Rita Ora dhe Taika Waiti – prezantues të MTV EMA 2022 (Foto: MTV)

Për Ritën kjo nuk është hera e parë që prezanton një event të tillë, pasi ajo ka qenë edhe më parë nikoqire e MTV EMA në vitin 2017.

Rita Ora duke prezantuar MTV Europe Music Awards 2017 (Foto: Getty Images)

Por nuk do të jetë prezantuesja e vetmja shqiptare që skena e sivjetme e mbrëmjes së çmimeve do të mirërpresë.

Kjo pasi në skenën e madhe të MTV Europe Music Awards do të ngjiten për të performuar veçmas si mysafire speciale këngëtaret shqiptare me famë ndërkombëtare: Bebe Rexha dhe Ava Max.

Bebe Rexha në tapetin e kuq të MTV Europe Music Awards 2018 (Foto: Getty Images)

Bebe Rexha do të interpretojë hitin e saj më të fundit “I’m Good (Blue)”, në bashkëpunim me David Guettan – këngë e cila e riktheu atë të parën në top listat ndërkombëtare dhe britanike.

Ndërkohë, artistja me origjinë nga Shqipëria, Ava Max, ka konfirmuar gjithashtu se do të ngjitet në skenën e Dyseldorfit për të kënduar një nga hitet e saj më të fundit.

Ava Max me çmimin “Depërtimi muzikor më i mirë i vitit” në MTV Europe Music Awards 2019 (Foto: Getty Images)

Por kjo nuk është e gjitha, pasi Bebe Rexha dhe Ava Max janë madje edhe të nominuar për të fituar një nga çmimet e mbrëmjes, atë të “bashkëpunimit më të mirë”.

Në nominimet për këtë kategori, atyre iu bashkëngjitet edhe një shqiptare tjetër, Dua Lipa, e cila është nominuar për bashkëpunimin e saj me Megan Thee Stallion, “Sweetes Pie”.

Dua Lipa me çmimin “Artistja më e mirë e zhanrit pop” në MTV Europe Music Awards 2018 (Foto: Getty Images)

Kjo shënon herën e parë që tri shqiptare janë nominuar për të njëjtin çmim në një event të muzikës ndërkombëtare.

Deri më tani, artistet shqiptare që gjatë karrierës së tyre kanë fituar çmime MTV EMA janë: Rita Ora, Dua Lipa dhe Ava Max.

Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Ava Max – tri shqiptaret e nominuara për çmimin “Bashkëpunimi më i mirë në MTV EMA 2022 (Foto: MTV)

MTV Europe Music Awards shpërblen gjithashtu me nga një çmim edhe artistët më të dëgjuar të secilit shtet evropian përkatës ku kanali MTV ka transmetim.

Lexo po ashtu Për herë të parë në histori, tri artiste shqiptare nominohen për të njëjtin çmim në MTV Europe Music Awards

Edhe këtu kemi një tjetër shqiptare në garë. Rap-artistja Loredana Zefi për të katërtin vit radhazi është nominuar për çmimin “Artistja më e mirë zvicerane” në MTV EMA.

Loredana Zefi me çmimin “Performuesja më e mirë zvicerane” në MTV Europe Music Awards 2019 (Foto: Kate Green/Getty Images/Guliver)

Ajo e ka fituar më parë këtë çmim në vitet 2019 dhe 2020, gjersa Zvicra si shtet pati fitues të këtij çmimi vitin e kaluar po prapë një shqiptar – këngëtarin Gjon’s Tears, emri i vërtetë i të cilit është Gjon Muharremaj. /Telegrafi/

Gjon Muharremaj, fitues i çmimit “Artisti më i mirë zviceran” në MTV Europe Music Awards 2021 (Foto: Getty Images)
Exit mobile version