Telegrafi

Të burgosurit rusë: Komandantët tanë nuk i shohin ushtarët si qenie njerëzore

Në zonën e Vuhledarit në rajonin e Donetskut, ushtarët e forcave speciale të Ukrainës të njohur si SOF dhe brigada e 72-të e motorizuar kanë arritur të shkatërrojnë një tank dhe të zënë rob lufte dy ushtarë rusë, që kanë përshkruar në detaje përvojat e tyre në luftë.

Në një video të publikuar nga SOF, robërit, vëllezërit Chertenkov, pranojnë se ishin viktima të propagandës ruse dhe pranuan të shkonin të luftonin në Ukrainë. Ata thanë se komanda ruse dhe komandantët në terren nuk i konsiderojnë ushtarët e tyre si qenie njerëzore, transmeton Telegrafi.

Vyacheslav Chertenkov thotë se është i bindur për fitoren e Ukrainës në këtë luftë. Sipas Pavel Chertenkov, që nga fillimi i vitit, gjysma e kompanisë së tyre të brigadës 155 të marinsave ruse, vdiq në frontin e Vuhledarit.

I burgosuri tregon edhe rrethanat e betejës, dy tanke ruse, me komandën e komandantit, u zhvendosën drejt pozicioneve të forcave të mbrojtjes ukrainase, dhe T-80 e tij ra mbi një minë antitank. Chertenkov arriti të arratisej para se të shpërthente municioni.

Videoja shoqërohet me pamje ilustruese të shkatërrimit të pajisjeve ruse në fronte të ndryshme. Zyra për informim e SOF-it kujton se që nga fillimi i agresionit në shkurtin e kaluar, Rusia ka humbur 3213 tanke.

Anëtarët e SOF-së u kanë ofruar ndihmë mjekësore të burgosurve dhe i kanë larguar nga vija e frontit. Operacioni i përbashkët i SOF të Ukrainës dhe brigadës së 72-të, kaloi pa humbje dhe ndërpreu ofensivën e planifikuar ruse në frontin e Vuhledarit.

Çmimi i secilit tank është nga 3 deri në 6 milionë dollarë amerikanë. Kostoja e të gjitha tankeve të humbura është e barabartë me ndërtimin e 803 shkollave të reja të mesme, 1230 materniteteve ose 1170 klinikave të kancerit. /Telegrafi/