Site icon Telegrafi

Të banosh në mirënjohjen e njeriut!

Nga: Ilir Çumani

(Përsiatje mbi personalitetin artistik të poetes së mirënjohur të teksteve të këngës në RTSh, Zhuliana Jorganxhi)

Në epoka dhe etapa të ndryshme të njerëzimit, ka patur dhe do të ketë gjithmonë individë të veçantë, të cilët, me veçoritë dhe talentin e rrallë që zotërojnë, me kontributin dhe vokacionin që përcjellin dhe e transmetojnë ndër breza, kanë mundur të lënë gjurmë të thella duke ngritur në art tempullin e tyre të shenjtë e të pacenueshëm nga çdo ndikim dhe fuqi e jashtme madhore që e sjell koha. Këta individë, në mënyrë organike bëhen sinonim i jetës së përditshme, dhe ashtu krejt pa pritur e pa kuptuar mundin të depërtojnë në qënien tonë, duke hyrë deri në skutat më të fshehta të shpirtit njerëzor. Pastaj, aty e ngrenë edhe folenë e tyre… Me kalimin e kohës, kjo fole kthehet në një strehë të përjetshme, që quhet banesa e mirënjohjes tek Njeriu…!

Pa dyshim, kjo ka ndodhur edhe me Zhuliana Jorganxhiun, një nga emrat më të veçuar dhe më të zëshëm të artit dhe kulturës sonë kombëtare të shekullit që lamë pas, por edhe të këtij fillim shekulli. Mjeshtre e fjalës së gdhendur në varg, uragan i fuqishëm i simbolikës dhe e metaforës në këngën shqipe, lirikja dhe frymëzuesja që me kumtin e saj ngriti peshë zemrat e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, ajo u bë melhemi e gëzimeve dhe e dhimbjeve proverbiale të popullit të cilit i përket. Sa i paplotë do të ishte mozaiku gjigand i këngës në shekullin që lamë pas, por edhe në shekullin që jetojmë sot, pa Zhuliana Jorganxhiun…!?

Me të drejtë e kanë quajtur Mbretëresha e Këngës Shqiptare, sepse në fakt, është një virtuoze e rrallë e vargëzimit të kënduar, një qëndistare e rafinuar e fjalëzimit të praruar, dhe për këtë arsye ajo e meriton këtë kurorë lavdie…! Zhuliana Jorganxhi ka patur dhe ka një fat ndryshe prej artisti. Prej kohësh ajo gëzon një privilegj dhe status të veçantë si rrallëkush prej të ngjashmëve në këtë fushë, ngase kënga e saj ka zënë vend në të përditshmen e gjithsecilit prej nesh, si buka që hamë, si uji që pimë dhe ajri që thithim.

E gjithë krijimtaria e saj e begatë, simbolika dhe fabula që ajo ndërton, metafora dhe mesazhi që përcjell përmes fjalëzimit, kundrohet bukur, përcillet krejt natyshëm dhe kuptohet lehtë, pëlqehet, shijohet këndshëm, këndohet nga të gjitha moshat. Kënga e saj të ngelet gjithmonë në buzë, si një lajtmotiv i ritmit të jetës dhe i kohës që jetojmë, ku brenda këtij ritmi janë dhimbjet dhe gëzimet e njeriut, brengat dhe dashuritë e mëdha, loti dhe buzëqeshja, arsyeja dhe urrejtja, shpresat dhe ëndrrat e së ardhmes, robëria dhe liria, triumfi dhe lavdia… Të gjitha janë aty. Lirikat e këngëve të saj janë plot jetë e gjithë gazmend, ato mbeten po aq të freskëta e frymëzuese, anipse kanë çelur e shpërthyer dekada më parë, ato sërish tingëllojnë të freskëta, dëgjohen edhe më bukur, shijohen me ëndje, kërkohen dhe përcillen mrekullisht edhe sot tek brezi më i ri …!

Dhe kjo ndodh sepse Zhuliana Jorganxhi e qëmton dhe e respekton thellësinë e mendimit, e çmon shumë rëndësinë dhe peshën që ka fjala. Ajo është një adhuruese e pashoq e gjuhës së bukur shqipe, e miklon atë ashtu si nëna foshnjën e saj, sepse e dashuron marrëzisht sikur të jetë krijesa e saj. Si një nikoqire e mirë korçare ajo e kursen fjalën, e përzgjedh mençurisht dhe kujdeset për estetikën e saj, e formëzon dhe e laton atë, andaj edhe fjalëzimi mjeshtëror i saj nuk e pranon kurrë mendimin bosh, as parazitizmin e frazës e cila asesi nuk mundet ti cek dot sinorët e krijimtarisë së saj të dëlirë e të kulluar. Këto veçori e cilësi të rralla që lidhen me talentin dhe disiplinën e pashembullt artistike në gjithë procesin e saj krijues, Zhuliana Jorganxhi i përcolli duke e ndarë me shumë fisnikëri e bujari si përvojë dhe sukses të saj me të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët e vjetër dhe të rinj, atje, në redaksinë e muzikës në Radio Tirana, ku për mëse 30 vjet mbajti peshën dhe përgjegjësinë kryesore të eventeve më të rëndësishme në ngjarjet e mëdha artistike që lidheshin me Festivalet e Këngës në RTSh.

Së shpejti lexuesi shqiptar, e në veçanti profesionistë të fushës, poetë, kompozitorë, interpretë të këngës, mësues e pedagogë, nxënës dhe studentë që studiojnë për kanto e kompozicion, por, edhe kritikët e artit të këtij lloj zhanri të veçantë, do të kenë një duar një botim special e të plotë të korpusit të krijimtarisë poetike të Zhuliana Jorganxhiut. Ky libër është konceptuar dhe i ndarë në tre kapituj.

Në kapitullin e parë që mban titullin e librit “Zëri i shpirtit tim”, janë publikuar të gjitha tekstet e muzikuara të këngëve të krijuara nga autorja, që në fillimet e saj kur ajo ishte vetëm 17 vjeçe, e deri në ditët e sotme. Shumë prej tyre tashmë janë bërë hite dhe mrekullisht i kanë rezistuar në mënyrë të shëndetshme kohës.

Në kapitullin e dytë me titull  “Udhëve të pentagramit”, janë poezi e lirika të pa muzikuara, të shkruara në kohë të ndryshme, për të cilat kompozitorët e traditës, por edhe ata të sotëm, (pra më të rinjtë), janë të mirëpritur ti kthejnë sytë dhe kanë shumë se çfarë të marrin e të frymëzohen nga krijimtaria e begatë dhe e larmishme e kësaj autoreje… E gjithë kjo vepër e mirëfilltë krijuese, analizohet dhe shoqërohet me një parathënie tejet serioze dhe profesionale nga poetja e mirënjohur Natasha Lako, e cila, veç individualitetit artistik, evidenton veçoritë dhe epërsinë e talentit të padiskutueshëm të Zhuliana Jorganxhiut, si një prej përfaqësueseve më dinjotoze të brezit të saj, dhe që padyshim për këtë, ajo zë një vend qëndror në historinë e muzikës dhe të Këngës Shqiptare.

Ndërsa, në kapitullin e tretë, një vend të veçantë i kushtohet vlerësimeve, opinioneve, mbresave dhe kujtimeve të shumë personaliteteve të artit dhe kulturës, si poetë, kompozitorë, dirigjentë, këngëtarë, e shumë bashkëkohës të autores që kanë jetuar artistikisht dhe kanë bashkëpunuar me të ndër vite e dekada, e, së bashku kanë bërë historinë e ndritur të muzikës dhe të Këngës së lehtë Shqiptare. Kapitulli i tretë, mban një titull mjaft domethënës dhe kuptimplotë: “Mijëra zëra në një zemër”, sepse, për Zhuliana Jorganxhiun duan të flasin që të gjithë…

Të gjithë duan të shprehen e të thonë fjalë zemre, të përcjellin një urim, sepse tashmë ajo mbetet një nga krijueset që nuk i përketë më vetvetes, por të gjithëve ne, ngase kënga e saj ka një jetëgjatësi, ajo është përcjellë dhe do të përcillet ndër breza… Janë tepër emocionuese dhe mjaft mbresëlënëse fjalët e ngrohta, mirënjohja dhe vlerësimet e pakursyera e plotësisht të merituara që përcjellin në këtë libër për autoren shumë prej kolegëve të saj artistë, kompozitorë, poet, dirigjentë, këngëtarë dhe mjaft personalitete të njohur të fushave të ndryshme të artit dhe kulturës, dhe jo vetëm. Ata dëshmojnë në kujtimet e tyre jo vetëm talentin unik dhe kontributin e paçmuar të Zhulianës në historikun dhe rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm të Këngës Shqiptare, por, përmes këtyre mbresave dhe impresioneve, ata rrëfejnë dhe zbulojnë anë të tëra të personalitetit të saj njerëzor, si, zemërgjerësia dhe bujaria, fisnikëria dhe toleranca, përulësia, modestia e thjeshtësia, e shumë cilësi të vyera që e ridimensionojnë dhe e plotësojnë edhe më qartë profilin e kësaj figure kaq të dashur për shqiptarët këtej dhe andej kufirit. Të gjitha mendimet e tyre bashkohen në një të vetme: Tek Zhuliana Jorganxhi frymon dhe jeton në çdo çast jo vetëm një artiste e jashtëzakonshme, por edhe një Njeri i jashtëzakonshëm…, një grua madhështore…!

Po përse paraqitet sot para lexuesve një botim kaq i veçantë dhe i plotë i këtij nënlloji të krijimtarisë artistike, siç është edhe poezia e muzikuar e Zhuliana Jorganxhiut…?!

Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj katrahure të madhe se çfarë ndodhi në Shqipërinë e pas viteve 1990. Si në çdo fushë të jetës, ashtu edhe në art e kulturë, e, në veçanti në muzikë, pati një bjerrje të menjëhershme të asaj tradite të investuar kaq bukur për dekada me radhë. Fatkeqësisht, kjo bjerrje kaloi më pas në një rrënim dhe degradim të pakthyeshëm të vlerave të gjithë asaj trashëgimie të vyer dhe shumë të pasur, e krijuar dhe e kultivuar me aq mund, zell e pasion nga një armatë e madhe brezash artistësh, kompozitorësh e poetësh, interpretuesish të talentuar, nga më të zëshëm dhe më të shquar të vendit.

Kujtesa jonë na bënë të evokojmë me nderim të thellë kompozitorët, si: Prenk Jakova, Gaqo Avrazi, Çesk Zadeja, Tish Daija, Pjetër Gaci, Tonin Arapi, Nikolla Zoraqi, Abdulla Grimci, etj, të cilët u pasuan nga një gjeneratë tjetër kompozitorësh po aq të talentuar si Agim Krajka, Ferdinant Deda, Kujtim Laro, Fehim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Avni Mula, Agim Prodani, Luan Zhegu, Aleksandër Peçi, Agron Xhunga, Kastriot Gjini, Vladimir Kotani, Aleksandër Lalo, Alfons Balliçi, Josif Minga, Flamur Shehu, Apostol Simoni, Tonin Rrota, Enver Shëngjergji, Vath Çangu, Gazmend Mullahi, Shaqir Kodra, Pjetër Dungu, Sabrija Nushi, Spartak Tili, Shpëtim Kushta, Hajg Zaharian, Robert Radoja, Gjergji Leka, Osman Mula, Ardit Gjebrea, Piro Çako, Ilir Dangëllia, Naim Gjoshi, David Tukiçi, Edmond Zhulali, Alfred Kaçinari, Valentin Veizi, Jetmir Barbullushi, Shpëtim Saraçi, Adrian Hila, Artur Dhamo, Miron Kotani, Lambert Jorganxhi etj.

Kësaj armate të shkëlqyer kompozitorësh iu bashkëngjitën edhe ajo plejadë e shquar krijuesish të teksteve të muzikuara, si: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Llazar Siliqi, Kol Jakova, Dionis Bubani, Petraq Qafëzezi etj., të cilët edhe këta u pasuan nga një tjetër gjeneratë e shkëlqyer krijuesish, si: Zhuliana Jorganxhi, Xhevahir Spahiu, Jorgo Papingji, Betim Muço, Natasha Lako, Bardhyl Londo, Gjok Beci, Arben Duka, Alqi Boshnjaku, Vasil Dede, Hysni Milloshi, Agim Doçi, Haxhi Rama, Sulejman Mato, Zaho Puci, Irma Kurti, Kudret Isai, Petrit Ruka, Luigj Gurakuqi, Pandeli Koçi, Koçi Petriti, Rozana Radi etj.

I gjithë kontributi i këtyre mjeshtërve të mëdhenj të muzikës dhe të këngës shqiptare, u lartësua nga interpretët virtuozë të skenës, si: Vaçe Zela, Gaqo Çako, Avni Mula, Tonin Tërshana, Luan Zhegu, Qemal Kërtusha, Anita Take, Pavlina Nika, Nikoleta Shoshi, Liljana Kondakçi, Ema Qazimi, Myfarete Laze, Irma Libohova, Alida Hisku, Parashqevi Simaku, Bashkim Alibali, Suzana Qatipi, Tatiana Isai, Rakipe Karaj, Eduart Jubani, Kozma Dushi, Françesk Radi, Fatma Zyberi, Arta Babaramo, Pëllumb Elmazi, Sherif Merdani, Justina Aliaj, Lindita Thedhori, Petrit Lulo, Nikolin Gjergji, Zija Saraçi, Spiro Katundi, Afërdita Zonja, Anita Bitri, Adriana Ceko, Muharrem Herri, Violeta Zefi, Telemak Papapano, Ermira Babaliu, Marina Grabovari, Gjergj Sulioti, Gjergji Leka, Jolanda Dhamo, Burbuqe Rada, Miga Hysi, Lindita Sota, Nazmie Kasmi… Dhe, pasoi me një tjetër brez këngëtarësh po aq të talentuar, si: Nertila Koka, Frederik Ndoci, Gëzim Çela, Morena Reka, Aleksandër Gjoka, Manjola Nallbani, Eranda Libohova, Mira Konçi, Aurela Gaçe, Juliana Pasha, Eneida Tarifa, Ledina Çelo, Elton Deda, Redon Makashi, Alban Skënderaj, Elsa Lila, Florian Mumajesi, Mariza Ikonomi, Elvana Gjata, Kejsi Tola, Rosela Gjybegu, Anjeza Shahini, Gent Bushpepa etj.

Mirëpo, e gjithë kjo trashëgimi e pasur dhe plejadë e shkëlqyer krijuesish e interpretuesish që përmendëm më sipër, bëri që me kalimin e kohës të përballej me një çoroditje dhe me një tipologji tjetër arti, të pa dëgjuar më parë, që në zhargonin e përditshëm quhet “tallava”. Dhe, kjo bëri që një pjesë e këtyre artistëve të tërhiqeshin nga udha e bukur e muzikës dhe pasioni i tyre të ndërpritej në mes, në kërkim të rrugëve të tjera për të mbijetuar. Disa ndryshuan profesion, e disa të tjerë e braktisën vendin duke shkelur udhëve të botës në kërkim të një jete më të mirë dhe më të sigurtë. Kësaj drame, nuk mund ti shpëtonte as poetja jonë Zhuliana Jorganxhi, e cila prej 30 vjetësh jeton përtej Adriatikut, atje, në Trieste të Italisë.

Gjithmonë e përmalluar, por e palodhur dhe energjike si dikur, ajo vazhdon të shkruaj ende vargje për muzikë. Si për të sfiduar me moshën e saj dhe me fuqinë e shpirtit atë katrahure  që la pas tre dekada më parë, ku në skenën që kishin debutuar ato mote korifenjtë e muzikës shqiptare, veç talenteve të rinj dhe mjaft premtues për të ardhmen e muzikës, u ngjitën lloj lloj këngëtarësh e krijues muzike, një pjesë e të cilëve ishin edhe emra anonim, që vetëm me artin e vërtetë muzikor nuk kishin asnjë lidhje. Pas ndërrimit të sistemit, ishte shpresëdhënëse dhe duhen vlerësuar përpjekjet e shumë djemve dhe vajzave të talentuar që u evidentuan asokohe dhe pati një prurje serioze të disa grupeve të rinj muzikorë që me freskinë dhe artin e tyre sollën një frymë të re të muzikës bashkëkohore, por që për fat të keq, edhe ata u tërhoqën përballë fluksit të pakontrolluar të prodhimtarisë së “artit” që vinte nga rruga. Ky ishte “arti” i komercit që e goditi rëndë muzikën e vërtetë dhe të gjithë trashëgiminë e vyer të Këngës Shqiptare. Ky lloj “arti”, për mëse tre dekadash ka pushtuar tregjet muzikore duke e basarduar rëndë këngën shqiptare. Përballë një panorame të tillë, artistët tanë të mëdhenj, por edhe ata të rinj të talentuar që u shfaqën pas viteve ’90 –të, u tërhoqën nga udha e krijimtarisë, duke e ndier veten të pafuqishëm në këtë atentat të madh që i’u bë artit të vërtetë, Këngës Shqiptare.

Vendin e hierarkisë së vlerave e zuri tallavaja dhe tekstet e pakuptimta muzikore, të cilat e kanë deformuar dhe ç’edukuar shijen e publikut. Ato na kujtojnë se Kënga, ky art i lashtë magjik që bashkon nga të gjitha kontinentet kulturat e popujve dhe përcjell kaq shumë emocion e mesazhe të fuqishme, që zbut dhe ngroh çdo zemër njerëzore kudo në botë, sot ndodhet në udhëkryqet e saj…. Ata që e kanë marrë peng muzikën e vërtetë, na kujtojnë se dikur “na ishte njëherë muzika…”, por, na ishte dhe është ende në mes tonë edhe një Mbretëreshë e këngës shqiptare me emrin Zhuliana Jorganxhi, e cila i dha këngës shpirtin e saj, që ajo të mbijetoj përgjithmonë, pavarësisht kohëve që jetojmë. Zhuliana Jorganxhi dhe e gjithë plejada që Ajo përfaqëson në artin muzikor shqiptar, është shembulli kuptimplotë që ilustrohet më së miri në atë që poeti ynë i madh Dritëro Agolli shkruan: “…I bardhë si bora të jesh,/ i ndritur, i larë me flori./ Prapë do të shajnë, patjetër,/ pa sharë nuk mbetet njeri …!/ E hodhën floririn – e tretën,/ në llum, në llagëmin e zi./ Një shekull kaloi dhe e gjetën,/ Floriri kish mbetur Flori …”

 

 

 

Exit mobile version