Telegrafi

Të akuzuar për kanosje, grabitje me armë dhe shfrytëzim për prostitucion, ekstradohen në Turqi dhe Itali tre persona

Tre shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht janë ekstraduar në Turqi dhe Itali

Nga këta të tre, një është ekstraduar në Turqi, i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim, për 3 vepra penale, ndërsa dy të tjerët në Itali, njëri i akuzuar për grabitje me armë, me pasojë, ndërsa tjetri i akuzuar për shfrytëzim për prostitucion dhe për kanosje.

Si rezultat i koordinimit të punës dhe bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe strukturave homologe në Turqi dhe në Itali, u finalizuan procedurat për ekstradimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Konkretisht:

-u ekstradua në Turqi, shtetasi turk Koray Anic, 36 vjeç, pasi Gjykata e Stambollit, në vitin 2024, e ka dënuar me 4 vjet, 6 muaj e 5 ditë burgim, për rrëmbim, posedim të armëve të zjarrit dhe armëve shpërthyese dhe për kanosje;

-u ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar M. L., 27 vjeç, i lindur në Dibër, pasi Gjykata e Torinos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për grabitje me armë, me pasojë. Në vitin 2021, 27-vjeçari dyshohet se ka plagosur me armë zjarri pronarin e një banese në Itali, ku kishte hyrë për të vjedhur, së bashku me shtetas të tjerë;

-u ekstradua në Itali, shtetasi shqiptar A. A., 49 vjeç, i lindur në Skrapar, pasi Gjykata e Komos, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shfrytzim për prostitucion dhe për kanosje.

Operacioni “Para drejtësisë” vijon./tch/