Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) njofton se zhvendosja e bllok tarifës nga 600kWh në 800kWh dhe mos aplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon sektorit të energjisë.
Sipas INDEP-it, vendimi i ZRrE-së është i ndikuar politikisht.
“Subvencionimi selektiv dhe jo linear vetëm sa do të rrisë konsumin energjetik në vend. Ky vendim nuk i ndihmon tranzicionit energjetik. Përkundrazi, e vazhdon bllokimin artificial të sektorit të energjisë në vend. Jemi gjithashtu të shqetësuar nga kjo shpërfaqje e hapur e ndikimit politik të Qeverisë në vendimin e sotëm të ZRRE-së”, thuhet në reagim.
INDEP thekson se zhvendosja e bllokut përjashton konsumatorët nga incentiva për të kursyer energjinë elektrike.
Zhvendosja e bllokut në 800kWh përjashton pothuaj të gjithë konsumatorët nga incentiva për të kursyer energjinë. Ky vendim ngadalëson procesin e tranzicionit energjetik duke bërë që investimet në efiçiencë të energjisë dhe në burime të ripërtrishme përmes paneleve solare të jenë të pafavorshme në një treg ku çmimi i energjisë deri në 800kWh subvencionohet”, përfundon reagimi.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kWh.
Sipas ZRrE-së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja. /Telegrafi/