Site icon Telegrafi

Tarifat e reja të energjisë elektrike, FMN: Anulimi i tyre do të çonte në deficit dhe barrë serioze për buxhetin

Fondi Monetar Ndërkombëtar sot përmes një komunikate për media ka reaguar edhe për çështjen e rritjes së tarifave të energjisë elektrike, duke thënë se anulimi i rritjes së tarifës do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin.

Në njoftim thuhet se rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin gjithashtu lëvizje të duhura të politikave

“…Anulimi i rritjes së tarifës do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin”, thuhet në njoftimin e FMN-së.

FMN shkruan edhe për inflacionin, duke thënë se inflacioni më i lartë, i cili si pasojë e rritjes së çmimeve të importit pritet të arrijë në më shumë se 10 për qind në vitin 2022, kërkon mbështetje të targetuar dhe të përkohshme për t’i ndihmuar familjet e cenueshme.

“Autoritetet janë përgjigjur shpejtë me subvencione për inpute bujqësore, bonuse në paga dhe rritje të përkohshme të pensioneve dhe skemave sociale”, thuhet në komunikatë.

FMN thekson se rishikimi i planifikuar i buxhetit për vitin 2022 duhet të përshkruajë se në çfarë mënyre programet mbështetëse janë duke arritur tek më të cenuarit, si dhe në çfarë mënyre është duke u ruajtur funksionimi adekuat i zinxhirit të vlerës së energjisë elektrike karshi subvencioneve aktuale të energjisë elektrike. /Telegrafi/

Exit mobile version