Site icon Telegrafi

Taravari: Javën e ardhshme do të mbajmë debat publik për Ligjin për përfaqësim të drejtë

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari sot duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve lidhur me heqjen e “balancuesit”, edhe njëherë përsëriti qëndrimin se nevojitet një Ligj për përfaqësim të drejtë. Ai tha se “Vlen” po e përgatit ligjin, për të cilin, siç ka paralajmëruar, javën e ardhshme do të mbahet debat publik.

“Vlen” po përgatit një ligj të ri, i cili shpresoj që javën e ardhshme do të jetë në debat publik. Do të jemi në koordinim me partnerët në koalicion. Nga të gjitha anët është konstatuar se “balancuesi” nuk funksiononte si duhej”, tha Taravari para fillimit të ngjarjes “World Changers Balkan Summit” në Filarmoni.

Ai nënvizoi se nevojitet një ligj për përfaqësim të drejtë, jo vetëm për kategoritë etnike, por për të gjitha kategoritë që janë të margjinalizuara në shoqëri.

“Kemi nevojë për debat publik dhe sinkronizim, sepse përfaqësimi i drejtë është kategori kushtetuese dhe sa herë që diçka është kategori kushtetuese duhet të ketë edhe ligj”, shtoi Taravari.

Në pyetjen e një gazetari nëse komisionet për vdekjen e foshnjës 14 muajshe në Klinikën e Fëmijëve dhe lehonës së ndjerë në Kumanovë kanë treguar se ka qenë gabim mjekësor, Taravari është përgjigjur se me gjasë do të mbajë një konferencë për media të hënën për të informuar për të dyja rastet.

“Kam lexuar raportin për rastin në Kumanovë. Për foshnjën 14 muajshe ende nuk e kam lexuar, por shpresoj që të hënën të kemi një konferencë për media për të dyja rastet. Do t’ju njoftoj gjatë ditës së nesërme”, tha Taravari.

Exit mobile version