Filmbërësi ikonik, Quentin Tarantino, ka thënë se ende nuk e ka shkelur një premtim që e kishte bërë kur ishte vetëm 12 vjeç dhe më pas vendosi që ai kurrë nuk do t’i ndante paratë që fiton nga shkrimi i skenarëve dhe regjia e filmave me nënën e tij.
Sipas faqes Parents, nëna e regjisorit të famshëm nuk e mbështeti ëndrrën e tij për të ndërtuar një karrierë në industrinë e filmit dhe madje ishte tallur me të. Kjo e bëri Tarantinon (që ka pasuri prej 120 milionë dollarësh) të vendoste që kurrë të mos i ndante fitimet e veta me të.
Në emisionin The Moment, ai ka thënë se në shkollë shpesh përballej me një mungesë mirëkuptimi për pasionin e tij për të shkruar. Mësuesit e panë hobin e tij si rebel, kurse nëna e tij nuk bëri asnjë përpjekje për të fshehur pakënaqësinë e saj me zgjedhjen e tij.
“Unë i thashë asaj: ‘Mirë. Kur të kem një karrierë të suksesshme, nuk do të marrësh asnjë qindarkë nga të ardhurat e mia. Unë nuk do të të blej një shtëpi. Nuk do të të paguaj për pushime. Nuk do të marrësh as një makinë. Unë nuk do të jap asgjë, vetëm pse e ke thënë këtë”, ka rrëfyer Tarantino.
58-vjeçari shtoi se nuk ishte dakord me thënien se nëna e tij duhet lavdëruar sepse ajo arriti ta bëjë atë të përpiqet dhe të realizojë ëndrrat e tij: “Ka pasoja për atë që bëni dhe u thoni fëmijëve tuaj, ose pasoja për tonin tuaj sarkastik dhe fyerjet ndaj gjërave për të cilat ata shqetësohen”. /Telegrafi/