Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Berlin, me qëllim pjesëmarrjen në Forumin për të rinjtë nga Ballkani Perëndimor, pati një takim dypalësh me Ministrin e Sportit dhe Rinisë së Malit të Zi, Dragoslav Shçekiç, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë.
Në takim, theksojnë nga atje, u diskutua se përveç lidhjes rajonale të të rinjve, të cilën e bën Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RYCO, është e nevojshme të punohet në përforcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë përmes pjesëmarrjes së përbashkët në projekte ndërshtetërore.
“Bashkëbiseduesit folën për faktin se Bashkimi Evropian duhet të bëhet më fleksibël ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, pa kushte, por me mbështetje të plotë. Sepse Evropa nuk është e plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor
Konkluzionet në fund të takimit ishin se vetëm të bashkuar si rajon mund të ecim përpara dhe t’i bashkohemi tregut ekonomik global”, thuhet në njoftim./Telegrafi/