Site icon Telegrafi

Takimet me Moikomin

Nga: Feride Papleka

Jeta ashtu si edhe vdekja e një personaliteti të shquar, lënë gjurmë të thella dhe i japin epokës frymën e tij. Mbi të gjitha është imazhi ai që shfaqet përherë i gjallë në imagjinatë. I tillë vjen pranë nesh Moikom Zeqo, mistik i një realiteti të vërtetë, i zhytur në oqeanin e dijes. Ai i ka dhënë kuptimësinë më origjinale fjalës kulturë.

Kujtimet për të tashmë duken si ëndërr. Jeta vetë është një ëndërr dhe mirë që mendohet si e tillë, sepse cili do të mund të përballonte me gjakftohtësi dhimbjen, tmerret, mjerimin, mes gëzimeve aq jetëshkurtra? Sot, në një dhomë në Paris, “e dënuar” nga epidemia, e cila u shndërrua në pandemi e na la larg Shqipërisë, me tronditjen që na shkaktoi mua dhe bashkëshortit tim, Antonit, lajmi i rëndë i largimit të Moikomit nga jeta, do të përpiqem të hedh në letër një pjesë të vogël të atyre që quhen Kujtime për një njeri që e deshëm dhe na deshi. Shoqëria jonë është e hershme.

Ajo ka nisur tridhjetë e pesë apo mbase edhe dyzet vjet më parë. Një shoqëri që u shndërrua në miqësi të kulluar, sublime. Sepse me Moikomin, miqësia mund të ishte vetëm e tillë. Ai e ushqente atë me personalitetin e tij të pakrahasueshëm, me mirësinë e përhershme, me praninë e tij në ditë të mira apo të vështira. Përgjithësisht, karakteri i njeriut përvijohet që në moshë të re. Moikomi u rrit në Durrës, buzë Adriatikut dhe të thuash që u end mes përkundjes dhe soditjes së valëve, nuk është një frazë e kërkuar që do të përdorej thjesht për të letrarizuar ligjërimin, por një fakt që ka ndikuar fuqishëm në rrjedhën e jetës së tij. Një vetvetishmëri dhe liri e trashëguar edhe nga prindërit, e hodhi atë shumë shpejt në krahët e një fantazie plot ngjyra poetike, që u dha një karakter fantastik vargjeve dhe vizatimeve të tij të para e më vonë edhe prozës.

Jo vetëm në intervista dhe në krijimtarinë e tij të gjerë, por edhe në bisedat e thjeshta, ndieje ritmin e dallgëve, gjerësinë dhe madhështinë e detit. Për të, rruga e artit dhe kulturës nisi që herët. Poezi me imazhe dhe teknika surrealiste, me ecuri të çuditshme, meditime, vizatime dhe piktura me forma novatore e ngjyra moderne, shkrime historike, analiza, reportazhe, portrete, brofnin nga fantazia e tij e etur për ide të reja krijuese. Pastaj njohja me arkeologjinë, sidomos me atë nënujore që për disa kohë u shndërrua në pasion, e zgjeroi këndvështrimin e tij për botën tonë e gjithësinë. Tërë jetën ka pasur një kureshtje të pashuar, ka zotëruar njohuri të thella për shumë fusha të mendimit, të letërsisë dhe arteve. Është e vërtetë se ndonjëherë ndodh që të kesh ide, konceptime të përafërta me dikë, por kur ishte fjala për Moikomin, vije re se pas këtij konstatimi, ai kishte shkuar tashmë larg, i bindur në atë që thoshte, me sigurinë e njeriut që këtë shtegtim të mendimit e ka dhunti të inteligjencës.

Gjatë dhjetëvjeçarëve, idetë e tij kryesore për dijen dhe kulturën u bënë udhërrëfyese për individë dhe grupe të ndryshme shoqërore. Me ndjeshmëri progresive, duke shpalosur idealet e një botëkuptimi humanist për kulturën, duke zgjuar interes te një masë e madhe njerëzish, ai fliste për vepra madhore, konceptuale dhe formuese. Megjithëse ishte i vetëdijshëm për dijet e tij të pafundme, ajo që e dallonte Moikomin nga intelektualët dhe shkrimtarët bashkëkohës ishte thjeshtësia. Dituria e tij mund të krahasohej me udhët e gjata mes një pylli që ka drurë të mëdhenj, por edhe lirishta me bimësi e lule të gjithfarshme. Takimet me të do të mbeten të paharruara. Emra shkrimtarësh, poetësh, filozofësh, burrash shteti e heronjsh të lashtësisë, të mesjetës, të kohëve moderne e postmoderne: Heraklit, Safo, Eskil, Platon, Aristofan, Perikli, Herodot, Seneka, Dante, Buzuku, Shekspir, Servantes, Pascal, Dekart, Bethoveen, Skënderbeu, Barleti, Cromwell, Franklin, Budi, Bogdani, Bardhi, Kant, Gëte, De Rada, Abdyl, Sami e Naim Frashëri, Marks, Bergson, Ismail Qemali, Brontë, Frojd, Ainshtain, Heidegger, Kafka, Proust, Joyce, Emerson, Faulkner, Orwell, Garibaldi, Migjeni, Noli, Kavafis, Yourcenar, Borges, Kazanzakis, Kuteli, Koliqi, Picasso, Kawabata, Pesoa, Poradeci, Enver Hoxha, Nënë Tereza, Primo Levi, Çabej, Shuteriqi, ClaudeLevy Strauss, Umberto Eco, Pierre Bourrdieu, Mandela, Obama, Steiner, Qosja, Kadare, Milorad Paviq… përziheshin në ligjërimin e tij me një natyrshmëri të qenësishme, ndaj dhe tepër bindëse. Ai i skiconte figurat e shquara të epokave me një mprehtësi të pakrahasueshme. Dhe kishe dëshirë ta dëgjoje pambarimisht.

Tituj librash të autorëve të kontinentit tonë, të Amerikës e të mbarë botës: presokratikë, antikë, mesjetarë, barokë, klasikë, romantikë, modernë, dadaistë, realistë, surrealistë, postmodernë, duke filluar me: Iliada, Odisea, Apologjia e Sokratit, Banketi, De rerum natura, Métamorphoses, Arti poetik, La Divina Comedia, Don Kishoti, Mbreti Lir, Hamlet, Cymbeline, Meshari, Çajld Harold, Characteristica universalis, Faust, Chemins qui ne mènent nulle part, Tokë e shkretë, A la recherche du temps perdu, Vargjet e lira, Metamorfoza, Aleph, Minima moralia, Personae, Arte combinatoria, The secret Sharer, Typhon, Njëqind vjet vetmi, La société du spectacle, Errata, Princi i vogël, Actes sans paroles, Le silence des livres, Danube, La societé de consomation, e deri te Diksioneri i Kazarëve, Brave New World, apo Tractatus philosophicum…ishin bërë magma e inteligjencës së tij të rrallë. Komente, rrjedhime, përfundime që e kthenin mendimin në një lëndë të gjallë. Ai hulumtonte të kaluarën dhe vinte me lehtësi te përditësia e jetës, të cilën e quante gjithnjë me vlerë, nëse nënkuptonte një punë të pandërprerë, cilado qoftë ajo, por që bëhet për të mirën e individit, të shoqërisë, të njerëzimit. Në frazat e tij kumbonte një zë i butë apo i vrullshëm, që u jepte gjallëri e ngjyrime mendimeve, tezave e hipotezave që parashtronte, analizave që bënte.

Në çdo bisedë, ai të linte përshtypjen se zotëronte një horizont të ndryshëm, që nuk ishte lehtë të arrihej nga të tjerët. Kështu shpalosej gjenia e tij. Kur niste të fliste për një subjekt të ri, ai e ndryshonte disi intonacionin. Zhvendosej lehtësisht me mendime të qarta, por pa marrë asnjëherë pozën e njeriut të gjithëditur. Mendoj se bashkëbisedues të moshave të reja janë befasuar nga dijet, nga një ligjërim me nocione të panjohura, të ndërlikuara. Fjala e Moikomit kishte përherë diçka të mistershme. Ai përmendte shpesh pasionin e tij më të madh që është leximi, por nuk shprehej hapur për dhimbjet dhe deziluzionet. Pjekuria e tij intelektuale i lejonte t’i jepte formë një universi mendor të papërsëritshëm. Mendimet e tij për kulturën, letërsinë dhe artet karakterizoheshin nga një kritikë sociale, nga vëzhgime të holla psikologjike, nga qasje të sakta politike. Ai ishte i aftë të improvizonte për çdo temë dhe për çdo subjekt edhe nga fusha të tjera si sociologjia, psikologjia, psikanaliza… Mendimet i formulonte përherë në një mënyrë elegante me prerje diakronike e sinkronike ose duke zgjedhur idetë dhe dukuritë më mbizotëruese. E vërteta është se Moikomi ishte i aftë të fliste pothuajse për gjithçka. Ai përherë ishte i mirinformuar. Në fjalën e tij mund të përfytyroje pleksjen e padukshme të fijeve mes ekzistencës, artit, shkencës, ekonomisë, politikës dhe të fiksoje pastaj në thesarin e përshtypjeve ikanake kohën që nga lumi i Heraklitit apo që nga idetë platoniane të shpirtit dhe krijimit e deri në shekullin XXI me mikroprocesorët, Galaxy dhe anijet kozmike. Në fjalën e tij ndieje unitetin e larmisë, zjarrin e lëvizjes së mendimit, pasqyrën e vizioneve të ndritshme.

Analizat e tij ishin të jashtëzakonshme: ato ngjasonin me një vepër arti total. Bisedat e tij ishin si leksione të mrekullueshme filozofie pa auditorium konkret. Vitin e kaluar, një shoqja ime e universitetit më shkruante që nga Nju Jorku se i lexonte shkrimet e Moikomit në gazetën “Dita” dhe mendonte se “ai është një nga njerëzit më të ditur të kohës në Shqipëri”. Ai ishte një personalitet i papërsëritshëm. Pa dyshim, shumica e atyre që takoheshin për herë të parë me të mbeteshin gojëkyçur nga larmia e dijeve të tij. Informacioni që përcillte ai vinte me shumë natyrshmëri. Mendja e tij ishte si një laborator i madh që analizon pareshtur. Mbrojtës i së vërtetës, ai e kultivonte çdo ditë kopshtin e dijes, duke vënë emrin dhe famën e tij në shërbim të çështjeve të mëdha të kulturës kombëtare. Dhe ishte lumturi ta dëgjoje. Pasi mori vesh se vuante nga leucemia, jeta e tij mund të krahasohet me lokomotivën e një treni që ecën mbi shina të dëmtuara dhe e ka të shpejtë shkatërrimin, por asnjëherë nuk u pushtua nga dëshira për të hequr dorë nga gjithçka. Moikomi vazhdoi të jetonte normalisht, sikur të mos e përgjonte çasti fatal e i mynxyrshëm. Urtia e tij shtrihej jashtë barrierave të dogmatizmit. Në miqësi me librat, ai i kishte dhënë strehë lirisë së tij.

Në një bisedë ka thënë: “Në këtë strehë unë shfletoj herë një libër, herë një album, herë një dorëshkrim, pa ndonjë rregull të caktuar. Shumicën e librave të mi i kam diktuar duke improvizuar”. Kur fliste për librat e vet, botimin e të cilëve e nxitoi vitet e fundit, ligjërata e tij i ngjante një ëndërrimi të përhumbur dhe kuptohet, në raste të tilla Uni i tij ishte i gjithëpranishëm. Trajektorja e mendimit të tij përballej me temat universale të letërsisë dhe artit: lindja, dashuria, miqësia, fëmijët, krijimi, vdekja, natyra, vetmia… Ai ndërtoi pak nga pak një filozofi vetjake, që ishte shprehje e personalitetit të tij të pasuruar me kultura të ndryshme. Nuk kishte ndonjë kufizim mendimi i tij, sepse dijet e tij të gjithanshme ishin gjithëpërfshirëse. Ai mund të fliste për sumerianët dhe akadianët, për Ilirinë, për keltët, për inkuizicionin që u shfrytëzua edhe për qëllime politike, për frankmasonët, për templierët, cistersienët, hospitalierët, teutonikët, për inuitët e Groenlandës, që më 2008 fituan të drejtën të njiheshin si popull… E vetmja lidhje që i bashkonte ligjërimet e tij ishte një diagram e tejdukshme që përshkonte epokat. Poet, piktor, redaktor, publicist, shkrimtar, drejtor i muzeve, i atij Arkeologjik në Durrës dhe i atij Historik në Tiranë, deputet, ministër, Moikomi kishte përvoja të shumta. Ligjërimi i tij i ngjante personalitetit të tij të shumanshëm. Të menduarit e tij ishte vetë stil. Shpeshherë, unë i thosha: “Ti je i mahnitshëm në bisedë”. Ajo që e karakterizonte ligjërimin e tij ishte një dendësi e madhe e shprehisë. Moikomi u ballafaqua me një sëmundje që t’i shuan shpresat për jetë, por nuk fliste kurrë për vdekjen. Verën e kaluar, ai përjetoi një episod të rëndë të shëndetit të kërcënuar. Për ditë me radhë në spital, ai u shndërrua në një Lazar të ri të ngritur nga varri dhe nuk tregoi aspak ligështim. Dukej se në ato momente vdekjen e shihte si stoikët. Takimet tona ishin edhe një festë intelektuale për të folur për dukuritë e reja në fushën e letërsisë, artit dhe kulturës europiane e botërore. Hera e fundit ishte një ditë janari e këtij viti në një lokal në Rrugën e Kavajës. Atë ditë, dielli shkëlqente si të ishte ditë pranvere. Lokali i vogël, të cilit nuk ia fiksova emrin, kishte një faqe muri krejt me xhama. Moikomi dukej sikur rronte në një atmosferë që i përkiste përjetësisë. Atë frymë përjetësie ia falte drita e diturisë që rrezatonte prej tij. Nuk mund të rri pa shtuar se miku ynë i shtrenjtë, edhe pse vdekja i kishte zënë pritë për mos ta falur këtë qershor, u interesua shumë për ne që ishim përgatitur të ktheheshim nga Franca në mars e nuk mundëm. Komunikimet tona që ishin të lirshme që nga çdo bibliotekë e Parisit apo qendër interneti, papritmas u ndërprenë fare më 11 mars. Djali ynë, Orioni, sidoqoftë na i transmetoi mesazhet e tij miqësore dhe i ktheu atij përgjigje në emrin tonë. Më 22 prill na dërgoi me e-mail intervistën që i kishte bërë gazetarja Anila Dedaj për gazetën “Panorama”. Na i lexoi pjesë të saj djali. Pyetjet dhe përgjigjet lidheshin me situatën e jashtëzakonshme që kishte krijuar pandemia. Ai ishte mirë dhe ishte optimist, si gjithnjë citonte libra dhe autorë, sipas situatës; këtë herë ishte shkrimtari amerikan Ray Bredbury dhe romani i tij “Marsianët”. Në një email tjetër, më 27 prill, e falënderonte djalin që ndërmjetësonte për komunikimin tonë. Ja si i shkruante: “Rrofsh, i dashur Orion. Unë jam në shtëpi në Tiranë, jam mirë, pa probleme. Do t’i marr miqtë e mi në telefon. Të përqafoj! Të fala gruas dhe Amalteas”. Dhe kështu, emailet vazhdojnë deri në fillim të majit. Urimi ynë: “Të gjetshim shëndoshë e mirë kur të kthehemi në Tiranë!”, tani duket sikur i përket një kohe shumë të largët. Ne as që e mendonim këtë fatkeqësi dhe as që do të rrinim kaq gjatë në Francë. Në një e-mail më të hershëm, ai i shkruante Antonit se donte një cikël me poezi që ia kërkonte Petro Çerkezi për ta përkthyer në greqisht. Dashamirësia dhe përkushtimi i tij për të ndihmuar autorët e tjerë ishin veprime të zakonshme. Ngaqë në banesën tonë nuk ka internet, ky lajm i hidhur na erdhi vonë. Shumë vonë! Mes atyre çasteve të trishtuara, Antoni tha: “Tirana pa Moikomin nuk do të jetë ajo që kemi lënë”. Madje, ne patëm ruajtur edhe një katalog kushtuar Leonardo da Vinçit, që doli me rastin e një ekspozite të piktorit në Luvër e t’ia dhuronim, por fati nuk na la. Pa përmendur librat që do të këmbenim për të lexuar, duke filluar me botimin e fundit Après Babel Une poétique du dire et de la traduction te George Steiner-it. Jeta e Moikomit ishte një botë e veçantë intelektuale, e mbushur veçanërisht me libra, me tablo pikture, me miq dhe me simbole arkeologjike. Fjala dhe idetë e tij jehojnë si një motiv i gjithëkohshëm, duke mbartur me vete tragjizmin e humbjes. Ato do të mbeten një manifestim i personalitetit të tij që do të frymëzojë bashkatdhetarët, jo vetëm me veprën, por edhe me faktin se ai e mbajti deri në fund ndezur zjarrin intelektual, me të cilin pasurohet kultura.

 

Exit mobile version