Site icon Telegrafi

Tahiri: LVV ka shthurje të numrave në Kuvend, se çka deklaron Kurti nuk duhet të merret seriozisht

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka folur për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Tahiri ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë të numrave në Kuvend, derisa ka shtuar se si PDK do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare siç janë shprehur edhe më parë.

“Të enjten do të jetë vazhdim i seancës së pa përfunduar tash e dy javë. Ju e dini se që dy seanca sesioni vjeshtor nuk po arrin të fillojë për shkak të mungesës së numrave nga mazhoranca. Ne do ti votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, por në çështjet e projektligjeve ku kërkohet shumicë e thjeshtë normalisht që nuk do të marrim pjesë. Ka një shthurje të madhe brenda LVV sa i përket numrave”, tha Tahiri.

Shefi i deputetëve të PDK-së, tutje foli edhe për kritikat e kryeministrit Albin Kurti, ku tha se “nuk duhen të merren seriozisht çfarë thotë Kurti”.

“Në këtë periudhë nuk duhet të merret asgjë shumë seriozisht çka deklaron Kurti. Ai është në një fushatë zgjedhore, është në përfundim të mandatit, tash duhet me pas parasysh sikletin dhe presionin që ka në këtë periudhë sepse nuk po arrin të përfundoj asnjë projekt”, tha Tahiri, shkruan Telegrafi.

Ai shtoi se si shoqëri duhet me pa nga e ardhmja, e sipas tij e ardhmja është “një qeveri e re, jo një qeveri që godet mediat, shoqërinë civile, gazetarët dhe godet opozitën”

“Kurti mundohet zërat kritikë ti mbys për shkak se nuk donë të diskutohet rreth punës dhe qeverisjes së tij”, tha Tahiri.

Deputeti i PDK-së, tutje foli edhe për procesin e CEFTA-s, ku fajësoi Qeverinë për paaftësi.

“Ne kemi mbërri në një pikë ku Kosovës po i rrezikohet pjesëmarrja tutje, për shkak të paaftësisë së saj për t’i implementuar zotimet dhe detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje. Shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar ta ndalin shtimin e sanksioneve ndaj vendit tonë”, tha Tahiri.

Ai u shpreh tutje se një qeveri serioze që krijon partneritet të qëndrueshëm me partnerët ndërkombëtar nuk e bjen punën që t’i vendosin sanksione. /Telegrafi/

Exit mobile version