Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se vendi po kalon nëpër një krizë që sipas tij, është një ndër më të thellat, si në rrafshin politik të brendshëm dhe atë të jashtëm, e po ashtu në aspektin ekonomik.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ekonomia e Kosovës është buzë kolapsit dhe sektori privat është duke u ballafaquar me vështirësitë më të mëdha që i ka pasur në dhjetë vitet e fundit.
“Problemet e shkaktuara nga Qeveria me mos investime kapitale, tash e tri vjet, pra me mos shfrytëzimin e më shumë se 1 miliard euro për t’i futur në qarkullim, politikat ekstremisht të gabuara fiskale, tatimore dhe mosthithja e investimeve të huaja, është kah e rrezikon secilin investim në sektorin privat”, ka shkruar Tahiri.
Tutje, ai është shprehur se sektori privat në Kosovë është duke hyrë në një periudhë kohore shumë të padefinuar, është në mjegull dhe në rrezik të ekzistencës së tyre.
“Është tejet e rëndësishme që Qeveria të ulet e të bisedojë me sektorin privat se si të dilet nga kjo krizë, e cila e ka prek secilin aktivitet të biznesit të vogël, të mesëm dhe të korporatave”, ka thënë shefi i deputetëve të AAK-së, duke shtuar se para se të bëhet vonë e të ketë kolaps të sistemit të ekonomisë në vend, Qeveria duhet të veprojë. /Telegrafi/