Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi të martën se partia që udhëheqë ai është e shqetësuar për gjendjen në veri të vendit dhe nuk është e interesuar për deklarime e beteja politike.
Këtë deklaratë ai e bëri para mediave, teksa u pyet nëse LDK-ja do ta përkrah mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
“Mocioni është veprim politik i cili realizohet kur ka vota. Ju e dini numrin e opozitës në Kuvend. Nuk jemi të interesuar për deklarime politike e beteja politike, por jemi të shqetësuar për gjendjen në veri dhe rrugën që duhet të kemi përpara me aleatët tanë. Kjo është preokupim për ne, çështje të tjera janë të rendit të dytë”, tha Abdixhiku.
Ai tutje theksoi se gjendja në veri është në një moment kritik, e për këtë, sipas tij, përgjegjës është kryeministri Albin Kurti.
Abdixhiku po ashtu tha se “qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë përtej populizmit, rrugën që kryeministri po e fut vendin”.
“Shpresoj që i njëjti të reflektojë dhe i bëj thirrje presidentes që të jetë më e zëshme dhe më e qartë në këtë moment kritik për Republikën e Kosovës”, u shpreh i pari i LDK-së.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ditë më parë ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti si përgjigje për veprimet e saj për veriun e vendit, pas ngjarjeve të ndodhura së fundmi në atë pjesë. /Telegrafi/