Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është takuar me kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci.
Në një shkrim në Twitter, Szunyog tha se me Pecin ka diskutuar për sfidat mbi ofrimin e shërbimeve komunale.
Tutje tha se i ka shprehur mirënjohjen për kontributin e dhënë në shtensionimin e situatës në veri.
“Jam takuar sot me kryetarin e komunës së Zveçanit, Ilir Peci, në zyrën e tij provizore në fshatin Lipë. Diskutuam sfidat me të cilat përballen në ofrimin e shërbimeve komunale për popullatën lokale. Shpreha mirënjohjen time për kontributin e kryetarit të komunës për shtensionimin në veri të Kosovës”, shkroi Szunyog.
Duhet theksuar se pas rritjes së tensioneve në komunat në veriun e Kosovës, të banuara me shumicë serbe, komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkoi që kryetarët e rinj të largoheshin nga objektet komunale, dhe t’i ushtronin funksionet e tyre nga ndërtesa alternative.
Kështu vepruan kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci – që të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – u mbajtën më 23 prill të këtij viti, pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntorin e 2022-ës.
Ato u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj shqiptarë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës njoftoi se në procesin e votimit morën pjesë vetëm rreth 3 për qind të personave me të drejtë vote.
Qeveria e Kosovës njoftoi më 11 korrik se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën./Telegrafi/
Met today with Zvecan/Zveqan mayor Ilir Peci in his provisional office in Lipa village. Discussed the challenges they face in providing municipal services to the local population.
Expressed my appreciation for the mayor’s contribution towards de-escalation in northern Kosovo. pic.twitter.com/FmDENV9nFi— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) August 3, 2023