Site icon Telegrafi

Sveçla: Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës, të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se thirrjet në rrjetet sociale për të protestuar në jug të Mitrovicës janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës.

Sveçla ka shtuar se përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme.

“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.

Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Lexo po ashtu U bë thirrje për protestë në Mitrovicën jugore, policia apelon: Mos bini pre e profileve të dyshimta

Ministri i Brendshëm i Kosovës ka ftuar qytetarët që të mos i përgjigjen ftesës së këtyre profileve.

“Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit. I ftoj të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime”, ka shkruar tutje ai.

Policia e Kosovës lëshoi një deklaratë të ngjashme, duke thënë që këto thirrje të shpërndara në rrjete sociale mund të jetë qëllimkëqija, në dëm të qytetarëve dhe të interesave të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version