Site icon Telegrafi

Sundimi i ligjit dhe kontestet pronësore largojnë investitorët nga diaspora

Paqartësia pronësore dhe kontestet gjyqësore rreth tyre në Kosovë, u kanë shkaktuar probleme të mëdha investitorëve nga diaspora, të cilët nuk kanë arritur që të shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë, bëjnë të ditur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve.

Sipas tyre, investitorët e mundshëm nga diaspora që kanë shqyrtuar mundësinë e investimeve në Kosovë, në sektorë të ndryshëm, kanë hasur në probleme me gjykatat e Kosovës. Shumë prej tyre thonë se nuk kanë arritur ende që të zgjidhin problemet që lidhen me pronat.

Naim Dedushaj, drejtor në drejtorinë për investime të diasporës në Ministrinë e Diasporës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se ka shumë ankesa të bizneseve nga diaspora për mjedisin afarist në Kosovë.

“Zakonisht janë përballur me neglizhencën e zyrtarëve shtetërorë. Pastaj ka pasur probleme edhe më gjykata, ka pasur probleme të ndryshme edhe me pronësi. Ne si departament për investime nga diaspora kemi qenë çdo herë afër tyre. Për shkak të këtyre problemeve, Qeveria e Kosovës ka krijuar një grup punues për tërheqjen e këtyre investimeve nga diaspora”, tregon Dedushaj.

Ministria e Diasporës, shton Dedushaj, ka kontaktuar edhe me gjykatat e Kosovës në mënyrë që të bëhet zgjidhja e këtyre problemeve pronësore që i kanë hasur këta investitorë.

“Ka pasur raste kur investitorët nga diaspora kanë pasur probleme me pronën e tyre, e cila është blerë nga gjyshi i tyre, apo nga babai i tyre e të cilët nuk i kanë përkthyer në emrin e tyre dhe kanë mbetur të pa përkthyera. Këto janë disa nga problemet që kanë ata sa i përket kontesteve pronësore”, ka theksuar Dedushaj.

Por, për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtyre kontesteve pronësore, Dedushaj thekson se duhet të krijohet një departament i veçantë në gjykata, që merret ekskluzivisht me zgjidhjen e problemeve pronësore që kanë investitorët nga diaspora.

Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, tregon Dedushaj, numri i kompanive nga diaspora që kanë shtrirë deri më tani kapitalin e tyre në Kosovë, është mbi një mijë.

Qytetarët e Kosovës të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, kanë ndihmuar vendin e tyre për vite me radhë.

Dërgesat e emigrantëve kosovarë që në vit arrijnë shifrën e mbi gjysmë miliardë euro, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet e tyre.

Remitencat, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës më së shumti janë shfrytëzuar për konsum dhe më pak për investime.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tregon se investimet e diasporës në Kosovë i ka penguar ambienti afarist i pafavorshëm në Kosovë.

Po ashtu, një problematikë tjetër e cila kishte dalë nga takimet që kanë zhvilluar me investitorët potencial nga diaspora kanë qenë kontestet pronësore.

“Disa prej shqetësimeve të investitorëve nga diaspora janë të lidhura me sundimin e dobët të ligjit, disa prej tyre janë përballur edhe më kërcënime, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë përballuar me cenimin e së drejtës së qasjes në pronën e tyre, qoftë pronë e të cilën e kanë pasur në pronësi, apo pronën që ka qenë në pronësi shoqërore e të cilën e kanë privatizuar”, thekson Zeka.

Shoqatat ekonomike në Kosovë kanë theksuar se ka pasur afaristë nga diaspora të cilët kishin marrë pjesë në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, e të njëjtit patën blerë ndonjë pronë, por që nuk kanë qenë në gjendje të shfrytëzojnë, për shkak se pronat kanë qenë të uzurpuara.

“Realisht ka qenë paradoksale nga vetë Agjencia Kosovare e Privatizimit e cila ka vënë në shitje objekte ose asete të cilat kanë qenë të uzurpuara, ku nuk ka pasur qasje as vete AKP-ja, ashtu që ky problem është bartur pastaj tek blerësit e rinj të atyre aseteve, të cilët nuk kanë arritur të shfrytëzojnë pronën dhe të bëjnë investime”, ka thënë Zeka.

Duke pas parasysh këtë problematikë Agjencia Kosovare e Privatizimit, nga muaji shkurt i këtij viti në bashkëpunim me autoritetet e rendit në Kosovë, kanë ndërmarrë aksione për lirimin e pronave nga uzurpatorët.

Autoritetet kompetente kanë njoftuar se edhe në të ardhmen do të ndërmerren veprime për lirimin e të gjitha pronave shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. /Rel/Telegrafi /

Exit mobile version