Kirurgu me inicialet L.M, i cili është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht kolegun e tij, është suspenduar nga puna për tre muaj me 50% të pagës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i përgjithshëm i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.
“Komisioni disiplinor, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka marrë vendim për masë të përkohshme, suspendim nga puna për tre muaj me 50% pagesë deri në vendimin e plotfuqishëm, i cili do të merret pas shqyrtimit detal të rastit”, ka deklaruar Emini.
Rasti i sulmit fizik ka ndodhur të martën, ka konfirmuar për Telegrafin Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.
Ai ka bërë të ditur se viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.
“Ankuesi (sh/k/m 1978) i cili punon mjek në Spitalin Regjional në Gjilan derisa ishte në zyrën e tij tek reparti i Kirurgjisë është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij i dyshuari L. M. duke pësuar lëndim të lehtë trupor dhe ka pranuar tretman mjekësor”.
Tutje, Hashani ka thënë se i dyshuari është larguar nga vendngjarja, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit i njëjti më pas është dërguar për 48 orë në mbajtje.
Rasti është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor” dhe po hetohet nga stacioni policor në Gjilan. /Telegrafi/