Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli ka thënë se pas sulmit që ndodhi në veri, procesi i dialogut duhet të vazhdoj me vija të kuqe.
Ai ka shtuar se në këto rrethana, BE-ja ka parë në mënyrë më të përafërt potencialin e konfliktit.
Këto komente Vrajolli i bëri në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
“E kanë parë se një qëndrim favorizues në raport me Serbinë nuk prodhon situatë të mirë në teren. Serbia është pro aktive në nxitje të konfliktit. Dialogu duhet të zhvillohet tash e tutje me vija të kuqe. Të dyja palët nuk duhet ta minojnë procesin e dialogut, të mos fokusohet vetëm në palën kosovare”, tha Vrajolli.
Vrajolli shtoi se në të kaluarën ka qenë një trend që pala kosovare ka treguar vullnet të mirë, kjo qeveri në krahasim me të kaluarën është duke treguar mosbesim ndaj komunitetit ndërkombëtar se vullneti i mirë shpërblehet.
“Shumë hapa që janë bërë janë kthyer si boomerang ndaj fuqizimit të integrimit të komunitetit serb në Kosovë”, tha Vrajolli.
I pyetur se a duhet të shpallet organizatë terroriste Lista Serbe, nëse vërtetohet se e njëjta ka qenë e përfshirë në sulmin në veri, Vrajolli theksoi se kjo “është një dilemë juridike se a duhet të shpallet një parti terroriste vetëm pse nënkryetari i kësaj partie është pjesë e grupit terrorist”
“Institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme kur marrin vendime të tilla për shkak të pasojave pastaj. Qeveria duhet ta izoloj problemin, e assesi të aludojë që komuniteti serb në pjesën veriore ka qenë i përfshirë në këtë incident”, tha Vrajolli. /Telegrafi/