Site icon Telegrafi

Sulmi ndaj dy personave në veri, flet drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës: Gjendja e tyre shëndetësore është stabile

Dy personat e sulmuar paraditen e së enjtes në veri të Mitrovicës, të cilët kanë pësuar lëndime trupore kanë marrë trajtime mjekësore në Spitalin e Mitrovicës.

Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, Luljeta Zhubi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kameramani i “Insajderit” pas trajtimit të marr është liruar për në shtëpi, ndërsa i riu tjetër është ende duke u trajtuar në këtë spital.

Sipas saj, gjendja e të riut i cili ende po trajtohet në këtë spital është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Gjendja e tyre është stabile. Njëri është lëshuar për në shtëpi e tjetri vazhdon të përcillet në spital. Gjendja e të riut është stabile, pa rrezik”, ka thënë Zhubi.

Ndërkaq, zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Besim Hoti konfirmoi sulmin për Telegrafin, duke mos dhënë detaje shtesë.

Ndërsa, gjatë ditës mediumi “Insajderi” ka bërë të ditur se në mesin e personave që janë sulmuar është kameramani i këtij mediumi, Jetmir Muji.

Për këtë sulm fizik i cili ka ndodhur në veri të Mitrovicës, ku mbeti i lënduar një kameraman ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Ndryshe, Telegrafi nga burimet e saj merr vesh që i riu është rrahur brenda një veture nga një grup personash në veri të Mitrovicës. /Telegrafi/

Exit mobile version