Me koktej molotovi është sulmuar, pastiçeria në Mitrovicë të Veriut, e të cilën e vizitoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të premten.
Ndalesa e ministrit të punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ministrit Elbert Krasniqi, në lokal, pronarit i kushtoi.
Orëve të para të së dielës, lokali i pastiçerisë është sulmuar me koktej molotovi, duke i shkaktuar dëme materiale.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se rasti është cilësuar si tentim për zjarrëvenie, derisa ende nuk ka persona të dyshuar për këtë.
Elshani konfirmoi se kjo pastiçeri është ajo në të cilën qëndroi ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me ish-kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.
Për këtë ka reaguar edhe vetë Sveçla, i cili tha se sulmet e tilla nuk do t’i zmbrapsin dhe se rendi dhe ligji do të triumfojnë.
“Prej tri vitesh angazhohemi pa reshtur në shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në veriun e vendit tonë që më parë ka qenë zonë e kontrolluar nga bandat kriminale të Serbisë e njollë e zezë për vendin tonë. Lufta jonë e pandalshme ndaj grupeve kriminale të Serbisë dhe neutralizimi i ndikimit të tyre në masë ka arritur të krijojë normalitet jetese me ç’rast shumë qytetarë tanë atje kanë filluar të krijojnë mundësitë për zhvillimin e tyre. Ky fakt duket se i pengon edhe disa mbetjeve kriminale të Serbisë në veri me ç’rast në mëngjesin e sotëm jam njoftuar se është sulmuar me koktej molotovi pastiçeria “Sharr” në Mitrovicën e Veriut. Dënoj ashpër këtë sulm dhe kërkoj nga organet përkatëse në identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë. Sulmet e tilla nuk do të na zmbrapsin asesi dhe jam i bindur se nuk do ti frikësojnë e ndalin as qytetarët tanë. Rendi e ligji do të triumfojnë me çdo kusht mbi terrorin,” ka thënë Sveçla.
Por, njohësit e sigurisë thonë se vizitat e tilla duhet të reduktohen, meqë situata në veri të vendit vazhdon të jetë e brishtë edhe më tutje.
“Ti je në atë stadin e brishtë d.m.th. në stadin e portokalltë, situatë e qetë e brishtë me mundësi tensionimi, dhe eskalimi në aspektin e sigurisë matanë lumit Ibër, por edhe në 4 komunat matanë lumit Ibër. Ne duhet të jemi totalisht të kujdesshëm dhe që të mos nxisim edhe bash një incident për shkak të ndjeshmërisë së situatës”, thotë për Tv Dukagjinin njohësi i sigurisë Arben Dashevci.
Dashevci shton se tentimet e tilla për frikësim të qytetarëve vijnë nga strukturat ilegale që udhëhiqen nga Serbia.
“Ende ekzistojnë disa copëza kriminale, që mund të jenë edhe të mitur sigurisht sikurse në rastin e parullave ose mund të jenë të nxitur nga ata kriminale jashtë Republikës së Kosovës, këtu e kam për atë grupin kriminal dhe krye kryekriminelin që e sulmuan Kosovën në 24 shtator,” shtoi Dashevci.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë së premtes ka qëndruar në Mitrovicën Veriore bashkë me ministrin e Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi, Agim Bahtirin e zëvendës-komandantin e Policisë, Veton Elshani duke shijuar kafe e ushqim në këtë qytet.