Site icon Telegrafi

Sulmi ndaj gazetarit në veri, reagon AGK-ja: Policia ta hetojë me urgjencë rastin

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas sulmit që ka ndodhur në veri të Mitrovicës ku është lënduar një kameraman.

AGK në reagimin për media ka thënë se kameramani i cili është sulmuar është Jetmir Muji nga portali “Insajderi”, derisa e ka dënuar ashpër këtë akt.

“Kameramani i portalit “Insajderi”, Jetmir Muji, është sulmuar sot paradite në Mitrovicën e veriut nga një grup i serbëve lokalë, derisa ishte duke xhiruar për një emision.

Sipas kësaj medie, Muji bashkë me gazetarin, Visar Duriqi, kanë qenë në veri për të përgatitur një emision, kur kanë parë futjen në veturë të një të riu nga disa persona. Kur Muji e ka xhiruar ngjarjen, ai është sulmuar nga këta persona, dhe ka përfunduar në Emergjencën e Spitalit në jug të Mitrovicës”, thuhet në reagim.

AGK-ja shpreh shqetësim dhe tronditje me sulmin, njëherësh e fton Policinë e Kosovës, që ta hetojë me urgjencë rastin dhe t’i identifikojë personat përgjegjës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version