Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, njoftoi se portali e-Albania dhe disa uebsite të tjera qeveritare kishin rënë pre e një sulmi kibernetik të koordinuar nga jashtë Shqipërisë.
Lidhur me këtë, ka folur eksperti Hekuran Doli. Ai i ka bërë me faj ekspertët e portalit qeveritar.
Sipas tij, ekspertët e AKSHI-t kanë sulmuar veten, duke nxjerrë jashtë shërbimit portalin qeveritar, duke ndihmuar edhe hackerat që po sulmonin, duke sjellë edhe arritjen e qëllimit të tyre.
‘”Ekspertët e AKSHI-t kanë ndihmuar hakerat sulmues, në arritjen e qëllimit të tyre, pasi ata i kanë bërë sulm vetes, duke nxjerr jashtë shërbimit portalin qeveritar e-Albania dhe uebeve të tjera qeveritare”.
“E vërteta është se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, rajoni i Ballkanit ka qenë i përfshirë nga një valë e sulmeve kibernetike e cila, herë me intensitet më të lartë e here me intensitet më të ulet, qëllim kryesor ka pasur pengimin e institucioneve që të kryejnë punën e tyre online. Pavarësisht shkallës së rrezikshmërisë, është përgjegjësi e institucioneve të sigurisë kibernetike që këto sulme t’i trajtojë me profesionalizëm dhe t’i amortizojë deri në atë masë sa qe nuk kane efekt në mbarëvajtjen e punës së institucioneve”, është shprehur Doli për Syri.net.
Ai shtoi se sulme të tilla zakonisht vijnë nga shtete të huaja, dhe nga numër shumë i madh i adresave të internetit që e bëjnë të pamundur ballafaqimin e drejtpërdrejtë.
“Mirëpo duke ditur se shërbimet publike konsumohen kryesisht nga qytetarët brenda territorit të Shqipërisë, lejimi i komunikimit te brendshëm dhe bllokimi i trafikut nga jashtë Shqipërisë mund të jetë një zgjidhje e thjeshtë dhe e përkohshme deri në tejkalimin e valës së sulmit”.
Doli theksoi se ndalja e shërbimeve për shkak të sulmit është sulm ndaj vetvetes dhe mundësim i realizimit te qëllimit të sulmuesve të cilët synimin kryesor kanë ndaljen e shërbimeve publike online.