Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shprehur mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për Kosovën në aspektin e përmirësimit të integritetit të informacionit dhe të mbrojtjes nga sulmet kibernetike.
Duke folur në edicionin e shtatë të konferencës për Integritetin e Informacionit, të njohur si “DISICON”, Hovenier theksoi rëndësinë e përdorimit të përgjegjshëm të teknologjisë në mbrojtjen e proceseve demokratike.
Në fjalën e tij, ambasadori Hovenier vëmëndjen e përqendroi tek potenciali që ofron Inteligjenca Artificiale për të ndihmuar në përmirësimin e proceseve të ndryshme, duke nënvizuar se këto mjete teknologjike duhet të përdoren me kujdes për të shmangur rrezikun e keqpërdorimit.
Mjetet e avancuara teknologjike, sipas tij, mund të jenë të dobishme por edhe të rrezikshme nëse nuk menaxhohen siç duhet.
Ambasadori Hovenier gjithashtu shtoi se SHBA-të kanë një angazhim të patundur ndaj mbështetjes së shoqërive civile dhe mediave të pavarura, të cilat janë thelbësore për një shoqëri të hapur dhe demokratike.
Ai pohoi se qeveria amerikane është e përkushtuar të ofrojë ndihmë në këto fusha si një pjesë e partneritetit të vazhdueshëm dhe të fortë mes dy vendeve.