Site icon Telegrafi

Suhareka përmes Kontratës Sociale avancon pjesëmarrjen e qytetarëve dhe qeverisjen llogaridhënëse

Komuna e Suharekës me praninë e grupeve të ndryshme të qytetarëve, të hënën mbrëma, në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”, ka kremtuar të arriturat e përbashkëta të zbatimit të Agjendës së Kontratës Sociale, që është lehtësuar nga USAID-i.

Në kuadër të kësaj ceremonie është vlerësuar partneriteti i krijuar mes zyrtarëve komunale e qytetarëve që prej vitit 2022 për jetësimin e projekteve të propozuara nga komuniteti, përkatësisht i buxhetimit me pjesëmarrje, raporton Telegrafi.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka theksuar se këshillat gjatë aktivitetit të Kontratës Sociale të USAID-it kanë qenë të vlefshme për zyrtarët dhe qytetarët.

“Më vjen mirë që këtë projekt e kemi nisur para tri vitesh me USAID-in, dhe sot po e përfundojmë para të gjitha komunave, duke treguar punën që kemi bërë dhe sukseset e rezultatet. Jo vetëm Komuna e Suharekës, por edhe shumë drejtorë të shkollave, kryetarë të fshatrave, qytetarët kanë marrë shumë këshilla të mira brenda këtyre tri viteve”, ka thënë Muharremaj.

Suzana Gashi nga Handikosi në Suharekë ka sqaruar aktivitetin për ofrimin e hapësirës dhe mbështetjes për prindërit e fëmijëve më aftësi të kufizuara, të realizuar në kuadër të Kontratës Sociale, raporton Telegrafi.

“Duke qenë se çdo ditë kemi raste të reja, pavarësisht që trajnimet janë mbajtur edhe më herët, kemi raste të nënave e baballarëve të rinj që kanë nevojë për këto trajnime. Uroj që ky bashkëpunim mes qytetarëve e Komunës të mos ndërpritet, por të jetë në vazhdimësi”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkaq Shpejtim Ndrecaj ka dhënë shpjegime për nismën e kthimit të sheshit të qytetit në një zonë të mençur.

“Tani janë dy smart zona në sheshin e qytetit që janë duke u shfrytëzuar bukur mirë prej qytetarëve. Ideja ka lindur që qytetarët të kenë qasje në internet pa pagesë”, ka thënë Ndrecaj, teksa ka vlerësuar bashkëpunimin me zyrtarët komunalë.

Rudina Berisha ka paraqitur iniciativën për sigurimin e pajisjeve sportive për shkollën në Samadrexhë.

“Ideja jonë bashkë me qytetarët ka qenë sigurimi i rekuizitave sportive për kampionet në fshatin Samadraxhë që kanë pasur sukses në garat shkollore, gjë që është realizuar me këtë projekt”, ka thënë ajo, duke shtuar se Suhareka jo rastësisht quhet “qyteti i kampionëve në sport”.

Reshat Selimi nga fshati Mushtisht ka ndarë përvojën e buxhetimit me pjesëmarrje në këtë vendbanim, që sipas tij është realizuar dy vite më radhë në këtë lokalitet, raporton Telegrafi.

Sipas tij në vitin e parë të realizimit të kësaj praktike, janë përkrahur tri projekte të propozuara nga banorët.

“Në finale është organizuar votimi për 3 projekte. Nga ato 3 projekte, dy të parat i kanë marrë votat e njëjta, derisa projekti i tretë ka pasur shumë pak dallim në vota. Dhe duke i përgatit që të kalojmë në fazën e dytë të votimit, me një llogari të përafërt e kemi parë që dallimi i vlerës së planifikuar dhe vlerës së realizimit të atyre tri projekteve është shumë i vogël. Dhe falë vullnetit të zyrtarëve komunalë, drejtorit të Financave dhe kryetarit të Komunës kemi vendosur që të tri projektet të kalojnë”, ka thënë ai.

Në këtë kuadër janë prezantuar edhe nismat tjera që janë realizuar me sukses në territorin e Komunës së Suharekës.

Agjenda e Kontratës Sociale e lehtësuar nga USAID-i ka mundësuar rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje si dhe qeverisje më të përgjegjshme komunale. /Telegrafi/

Exit mobile version