Komuna e Suharekës ka përkujtuar ish-kryetarin Ukë Bytyçi në 22 vjetorin e vrasjes së tij. Gjatë akademisë përkujtimore të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës që mban emrin e të ndjerit, çmimi “Ukë Bytyçi” i është ndarë ish-kryetarit të Komunës, Sali Asllanaj.
Në njoftim e kësaj komune thuhet se të dielën është përkujtuar ish-kryetari Ukë Bytyçi dhe dy shoqëruesit e tij Bafti Bajrami dhe Bajram Bytyqi, të cilët u vranë menjëherë pas fitores së LDK-së në zgjedhjet komunale të vitit 2002, raporton Telegrafi.
Kryetari aktual i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka theksuar se Ukë Bytyçi do të mbetet gjithmonë njeriu që dha vullnet, dhe se me kontributin e tij e bëri të paharrueshëm rrugëtimin drejt lirisë dhe ndërtimit të vendit.
“Për mua Uka nuk është i vdekur… E shihni këtë sallë sa madhështore është, e mban emrin e tij. Uka na ka frymëzuar çdo herë me punu, me kriju shtetin për gjeneratat që vijnë pas”, ka thënë Muharremaj.
Në emër të strukturave të LDK-së, për veprimtarinë dhe biografinë e Ukë Bytyçit, sipas njoftimit, ka folur Ardian Shala, kryetar i degës së LDK-së në Suharekë, derisa në emër të familjarëve ka folur, Flamur Bytyçi.
Gjatë akademisë, është ndarë edhe çmimi “Ukë Bytyçi”, që jepet për udhëheqje dhe punë të mirë. Sivjet ky çmim i është ndarë ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj.
Sipas njoftimit, kurora lulesh nga delegacione të ndryshme janë vënë te shtatorja e Ukë Bytyçit, pastaj mbi mbi varrin e tij në Semetisht dhe në ato të Bajram Bytyqit dhe Bafti Bajramit, në fshatin Nishor. /Telegrafi/