Komuna e Suharekës ka organizuar një aktivitet ndërgjegjësimi lidhur me kancerit e gjirit, me ç’rast është theksuar rëndësia e kontrolleve të rregullta me qëllim të diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje të rëndë.
Në programin e mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”, krahas fjalimeve frymëzuese ka pasur edhe ligjëratë nga profesionistët shëndetësorë si dhe një shfaqje për të pranishmit, raporton Telegrafi.
Sipas njoftimit të Komunës së Suharekës, emocionuese ka qenë fjalimi i të mbijetuarës nga kjo sëmundje, Laureta Fondaj. Ajo ka rrëfyer historinë e saj të përballjes me këtë sëmundje.
Ligjërata lidhur me këtë temë është mbajtur nga Nazmi Kolgeci, kirurg torakal dhe drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale.
Ndërsa kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka përkujtuar se muaji tetor i dedikohet rritjes së ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.
“Gjatë këtij muaji, bashkohemi për të mbështetur gratë dhe familjet që përballen me këtë sëmundje, duke theksuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit shëndetësor të vazhdueshëm. Mesazhi ynë është i qartë: me informim të duhur dhe përkujdesje, mund të shpëtojmë jetë”, ka thënë Muharremi, duke apeluar për solidaritet e përkrahje për gratë e prekura nga kjo sëmundje.
Ndërkaq nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka nënvizuar nevojën për tu solidarizuar me gratë dhe familjet që përballen me këtë sëmundje, duke shtuar se “me ndërgjegjësim të shtuar, mund të shpëtohen jetë”. /Telegrafi/