Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka marrë vendim që tri parkingje të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit.
Ai ka njoftuar se nga data 20 dhjetor 2024 deri më 10 janar 2025, do të lejohet shfrytëzimi i parkingjeve në oborrin e Komunës së Suharekës, në oborrin e SHFMU “7 Marsi” – Suharekë, dhe në hapësirën e parkingut përballë Parkut të Dëshmorëve për mërgimtarët.
“Ju lejohet hyrja në oborrin e Komunës, në oborrin e SHFMU “7 Marsi” Suharekë, në hapësirën e parkingut tek ish tregu i qytetit (përballë Parkut të Dëshmorëve) të gjitha automjeteve private, që janë me tabela të huaja (mërgimtarëve) nga data 20.12.2024 deri me datë 10.01.2025”, thuhet në vendim, raporton Telegrafi.
Aty theksohet se punëtorëve të administratës së Komunës ju ndalohet hyrja me automjete në oborrin e Komunës gjatë kësaj periudhe kohore.
“Mosrespektimi i këtij vendimi do të konsiderohet si shkelje e kodit të mirësjelljes së punës dhe do të ndërmerren masa disiplinore konform ligjeve dhe akteve nënligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin e kryetarit Muharremaj. /Telegrafi/