Qeveria e Kosovës ka marrë vendim një subvencion prej 100 eurosh për fundvit për fëmijë dhe pensionistë.
Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një deklaratë, duke shpjeguar se kjo masë është ndërmarre për të lehtësuar kostot e jetesës për këto kategori të shoqërisë.
Lidhur me këtë vendim, analisti politik Ylli Hoxha ka vlerësuar se kjo Qeveri është e shquar për përdorimin e subvencioneve dhe mbështetjes së qytetarëve në forma të ndryshme.
Hoxha ka theksuar se ndarja e mjeteve në këtë mënyrë është e dobishme në raste krizash dhe mund të shërbejë si një impuls për rritjen e shpenzimeve dhe stimulimin e ekonomisë.
Megjithatë, Hoxha ka shprehur dyshime rreth qëllimit afatgjatë të kësaj praktike dhe ka theksuar se nuk është forma më e duhur e shpenzimit të parave publike.
“Kjo qeveri është e shquar me këto lloj subvencione, suporti që ndan për qytetarët në forma të ndryshe, qoftë për shtesa të caktuara dhe kur e shikon buxhetin e sheh që një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të atij buxheti planifikohen të ndahen në këtë formë, qoftë për kategori të bizneseve të ndryshme qoftë për qytetarë”, ka thënë Hoxha.
Ai ka sugjeruar se në një moment të caktuar duhet të ndalet përdorimi i kësaj strategjie, duke e cilësuar atë si një mjet të përkohshëm dhe jo një zgjidhje afatgjatë.
Gjithashtu, Hoxha ka theksuar se shteti duhet të përdorë taksat për të investuar dhe krijuar vlerë të shtuar në vend, duke shtuar se kjo është një rrugë më efektive për zhvillim ekonomik.
“Tash sigurisht kush ka përfitu nga kjo skemë sigurisht është i lumtur po nuk mendoj që është forma më e duhur e shpenzimit të parasë publike ndonëse është treguar e dobishme në raste krizash kur shtete e ndryshme ndajnë mjete të caktuara për qytetarë në mënyrë që të shfrytëzohet si impuls i shpenzimit gjegjësisht i gjenerimit të një qarkullimi të madh ekonomik në vend”, është shprehur ai.
“Nëse vazhdon të përdoret më këtë ide atëherë ka kuptim, por mendoj që në një moment duhet të ndalet sepse nuk është zgjidhje, nuk vjel taksa shteti për t’i shpërndare ato në formën e caktuar por i përdor ato para për të gjeneruar vlerë të shtuar për të investuar dhe kryer punë për të cilën është aty”, ka deklaruar tutje Hoxha./TV Dukagjini/