Një studim ka zbuluar se pirja e duhanit mund ta dëmtojë ADN-në përgjithmonë, duke i ndryshuar 7,000 gjene të cilat kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve që ndërlidhen me konsumimin e duhanit. Shumica e dëmeve mund të shërohen përgjatë kohës, por disa janë krejtësisht të pashërueshme.
Studimi i publikuar të martën ka treguar se duhani i lë “gjurmët” e veta në gjenome përmes metilacionit, proces ku qelizat e kontrollojnë shprehjen e gjeneve, transmeton Telegrafi.
Hulumtuesit besojnë se ky proces mund të zbulojë historinë e individit me duhanin dhe ndihmon në identifikimin e targeteve potenciale për terapi.
“Këto rezultate janë të rëndësishme sepse metilacioni – si mekanizëm i rregullimit të shprehjes së gjeneve – ndikon në atë se cilat gjene duhet të aktivizohen, gjë që ka implikime për zhvillimin e sëmundjeve që ndërlidhen me pirjen e duhanit”, thotë Stephanie J. London, autore dhe zëvendësdrejtore e Epidemiology Branch.
Ky zbulim është i rëndësishëm sepse edhe pasi që dikush të ketë ndaluar konsumimin e duhanit, ne prapë do të kemi mundësi t’i shohim efektet e duhanit në ADN-në e tyre.
Sipas Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, afër 40 milionë të rritur në SHBA konsumojnë cigare. Duhani është përgjegjës për një në pesë vdekje të njerëzve, ose afërsisht 480,000 vdekjeve në vit vetëm në SHBA. /Telegrafi/