Site icon Telegrafi

Studimi: 62% e amerikanëve e identifikojnë veten si të krishterë

Numri i amerikanëve që identifikohen si të krishterë ka qenë në rënie prej vitesh, por kjo shifër duket se po jep shenja ngadalësimi, sipas një studimi të ri të Qendrës Kërkimore Pew të publikuar të mërkurën.

Sipas Studimit të Panoramës Fetare, 62% e amerikanëve në moshë madhore e quajnë veten të krishterë.

Megjithëse kjo është një rënie domethënëse krahasuar me vitin 2007, kur 78% e amerikanëve u identifikuan si të krishterë, Qendra Pew doli në përfundimin se përqindja e krishterë e popullsisë ka mbajtur një nivel relativisht të qëndrueshëm që nga viti 2019.

Sipas studimit, është ndalur edhe rritja e shpejtë e personave që nuk identifikohen me ndonjë besim fetar, duke qëndruar tashmë në një nivel përkohësisht të njëtrajtshëm. Rreth 29% e amerikanëve në moshë madhore identifikohen si jo fetarë, ndër ta 5% ateistë.

“Është befasuese të vëresh rishtazi këtë periudhë stabiliteti në besimin fetar në Amerikë, pas një periudhe të gjatë rënieje”, tha Gregory Smith, një ndër bashkëautorët e studimit të Qendrës Pew.

“Diçka që nuk dimë me siguri është nëse këto shenja stabilizimi afatshkurtër do të provojnë të jenë një ndryshim i zgjatur për trajektoren fetare të vendit”.

Në disa mënyra, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë përgjithësisht “shpirtërore”.

Shumë amerikanë kanë pikëpamje të së mbinatyrshmes, me 83% prej tyre që besojnë tek Zoti, apo një shpirt universal, dhe 86% që besojnë se njerëzit kanë shpirt. Rreth 7 nga 10 amerikanë besojnë tek parajsa, ferri, ose tek të dyja. /VOA/

Exit mobile version