Site icon Telegrafi

Stërvitja e përbashkët me britanikët, gjeneralmajor Kingji: Testim i kapaciteteve dislokuese të forcës rezervë të NATO-s

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Arben Kingji deklaroi sot se, zhvillimi i kapaciteteve portuale të vendit tonë do të adresohen nëpërmjet investimit në portin e ri të Porto Romanos.

Në fjalën e tij në DVDay (Distinguished Visitors Day) të stërvitjes së përbashkët mes trupave shqiptare dhe britanike “Austere Wolf – 24”, Kingji u shpreh se, “përkeqësimi i mjedisit të sigurisë si rezultat i luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, nxiti Aleancën të rivlerësojë strategjinë e shkurajimit dhe mbrojtjes dhe të vërë në funksion planet rajonale, të cilat të harmonizuara me planet kombëtare të vendeve aleate përbëjnë mbrojtjen më gjithëpërfshirëse të Aleancës në dekada”.

Kingji theksoi se, element i rëndësishëm në suksesin e këtyre planeve rajonale është mbështetja, lëvizja e shpejtë dhe e sigurt e forcave dhe mjeteve nga perëndimi në drejtim të kufirit lindor të Aleancës.

Në këtë drejtim, shtoi Kingji, “përveç kapaciteteve të këtij korridori, “Austere Wolf – 24″ do të shërbejë si një mundësi e mirë për të vlerësuar dhe përmirësuar procedurat dhe kapacitetet e vendit pritës të Shqipërisë, në kuptimin e infrastrukturës, mbështetjes dhe magazinimit”.

Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është e lidhur ngushtë me atë të zonës euroatlantike, ndaj shtoi Kingji, “kjo stërvitje e përbashkët merr një rëndësi akoma më të madhe pasi do të testojë edhe kapacitetet dislokuese të forcës strategjike rezervë të NATO-s”.

Kingji nënvizoi se, përveç rishikimit të planit kombëtar të mbrojtjes, Shqipëria ka shprehur gatishmërinë për një rol më aktiv për mbështetjen e planit rajonal për Evropën Juglindore.

Kingji, gjithashtu, vuri theksin tek investimi në portin e ri të Porto Romanos.

“Duke marrë në konsideratë kapacitetet dhe fluksin e lëvizjes që ofron Korridori VIII, evidentohet domosdoshmëria për zhvillimin e kapaciteteve portuale, të cilat do të adresohen nëpërmjet investimit në portin e ri të Porto Romanos. Ky port do të ofrojë kapacitete debarkimi dhe strehimi për njësitë deri në nivel brigade dhe shërbime mirëmbajtje, furnizimi dhe magazinimi”, tha Kingji.

Kingji shtoi se, “mundësitë e ofruara nga ky port, përforcohen nga baza ajrore e Kuçovës, e cila do të shërbejë si qendër për dislokimin, trajnimin dhe aktivitetet e forcave tona ajrore, si dhe do të mbështesë operacionet dhe stërvitjet e NATO-s”. /Telegrafi/

Exit mobile version