Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (tutje – ARKEP) më datë 18 tetor 2024 ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink, një lider global për ofrimin e shërbimeve satelitore të qasjes në internet.
“Ky autorizim përfaqëson një hap të rëndësishëm për avansimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të territoririt të Republikës së Kosovës. Në të gjithë globin, Starlink u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje kritike të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave kombëtare”, njofton ARKEP.
ARKEP shton tutje se hyrja e kësaj kompanie në tregun vendor do të sjellë përfitime për ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, duke krijuar mundësi të reja për inovacion.
“ARKEP do të vazhdoj angazhimin për rregullimin e aktiviteteve të komunikimeve elektronike duke promovuar investimet në vendin tonë, krijimin e kushteve për konkurrencë efektive si dhe ofrimin e shërbimeve me çmim të përballueshëm dhe kualitet të lartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, vijon tutje njoftimi.
Starlink është rrjet privat satelitor i internet që zotërohet prej kompanisë SpaceX, të miliarderit Elon Musk.
Starlink besohet se i ka rreth 4.800 pajisje në orbitë, përmes së cilave ofrohet internet në rreth 100 vend të botës.
Musk pati vendosur që t’i ofrojë qasje Ukrainës në këtë rrjet, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, si pasojë e së cilës shteti pati mbetur pa linja komunikimi.
Starlinku përdoret nga miliona njerëz në gjithë botën, pasi ofron internet më të shpejtë sesa disa ofrues vendorë.
Në faqen zyrtare të kompanisë mjafton të kërkoni adresën më të afërt dhe aty më pas duhet kryer pagesën për të marrë shërbimin./Telegrafi/