Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka nënvizuar së fundmi mungesën e avancimit konkret në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Stanos, pengesat kryesore qëndrojnë tek qëndrimet e palëve përfshirë në dialog.
“Nuk ka pasur shumë punë që është kryer në zbatim, për shkak të qëndrimeve të të dyja palëve,” deklaroi Stano gjatë konferencës për shtyp.
Komentet e tij vijnë në kohën kur pritet që dialogu të hyjë në një fazë më të thellë dhe më të përqendruar.
Ndërkohë, pyetjet në lidhje me takimin kontrovers midis Milan Radojçiqit, udhëheqësi kryesor për sulmin në Banjskë, dhe Marko Gjuriqit, ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shmangur nga zëdhënësi i BE-së. Stano theksoi se Bashkimi Evropian nuk i komenton “çdo takim” dhe se presin me interes raportin zyrtar të hetimeve.
“Qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar. Ne po presim një raport përfundimtar zyrtar të hetimeve dhe pastaj do të shohim se si ta trajtojmë përgjegjësinë,” shtoi ai, duke lënë të hapur pyetjen se çfarë ndikimi mund të kenë këto zhvillime në të ardhmen e dialogut dhe në përfshirjen e BE-së në stabilizimin e rajonit.
“Raportet dhe zhvillimet e ardhshme pritet të jenë vendimtare në përcaktimin e rrugës përpara për të dyja vendet në kontekstin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se është në dijeni të raportimeve të mediave për siç thotë ai “takimin e supozuar”, mes Gjuriqit dhe Radoiçiqit.
Ai theksoi se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për Radoiçiqin është i njohur. Sipas tij, Radoiçiq është një kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi.
Tutje ka shtuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer në Banjskë.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoiçiq është i njohur. Radoiçiq është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional. Siç kanë thënë zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane: Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata të përfshirë në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska që rezultoi në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës.” /Telegrafi/