Nga: Qëndrim Morina
Gjuhët standarde jo doemos janë rrjedhim i një procesi të natyrshëm zhvillimi të një varianti gjuhësor, por fryt i ndërhyrjes së vullnetshme në kohë të caktuara e për qëllime të caktuara. Si një variant artificial, gjuha standarde ka nevojë për kujdesin e vazhdueshëm të bashkësisë gjuhësore që e flet. Prandaj, planifikimi gjuhësor është quajtur edhe zhvillim i gjuhës (language development).
Duke marrë parasysh domenet në të cilat përdoret shqipja standarde (shkollë, administratë, media, institucione etj.), ajo me të drejtë ka devijim në të folur e në të shkruar. Po ashtu, shumë studiues (Lafe, Memushaj, Likaj etj.) kanë konsideruar se ky standard po devijon, po shkatërrohet e po dhunohet.
Padyshim pajtohemi që domenet përkatëse ku flitet e shkruhet ky standard kanë aty-këtu devijim dhe do të duhej t’i kushtonin një rëndësi më të madhe, sidomos në të shkruar, por të themi se po dhunohet e po shkatërrohet, mendojmë se janë epitete të ngutshme, duke marrë parasysh fazën e standardizimit të shqipes, sfidat dhe kohën (komuniste) kur është mbajtur Kongresi i Drejtshkrimit (1972).
A është shqipja e standardizuar?
Kur dëshirojmë të thurim lavde apo kritika për standardin gjuhësor të shqipes duhet t’i ngrehim disa pikëpyetje dhe të kuptojmë disa të dhëna, akull të ftohtë dhe pa ndjenja gardiane.
Ç’është standardi gjuhësor?
Kur ka filluar standardizimi i shqipes dhe cilët faktorë kanë ndikuar në zhvillimin apo moszhvillimin e tij?
A është gjuha standarde vetë gjuha?
Çfarë roli kanë dialektet në këtë zeje?
A i ka kaluar shqipja të gjitha fazat e zhvillimit për ta marrë epitetin‘’standardizim”?
Koncepti “gjuhë standarde” tingëllon disi si i turbullt. “Gjuhët standarde janë produkt i një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë dhe të pamenduar nga ana e shoqërisë” (Hudson, 2002:43).
Sipas linguistëve (Haugen 1996; Mathiot dhe Garvin 1959) gjuha standarde duhet t’i kalojë disa procedura që të marrë epitetin “standardizim”. Dhe, ato janë:
– Përzgjedhja,
– Kodifikimi,
– Kultivimi i funksionit dhe
– Pranimi
Të ndalemi te këto çështje veç e veç.
Duke marrë parasysh se formimi i gjuhës standarde ka kaluar nëpër një rrugë historike të gjatë më se një shekull, idetë e para për formimin e saj qenë shfaqur në kohën e Rilindjes Kombëtare, do të thotë në mes të shek. XIX dhe ndikuan disa faktorë, si: politikë, ekomomikë, socialë, kulturorë etj (Munishi, 2013:15).
– Përzgjedhja nënkupton që një formë a tjetër të zgjedhet një variant i caktuar për ta kultivuar gjuhën standarde në disa domene përkatëse. Në rastin e shqipes u zgjodh varianti toskë, në një epërsi të madhe, krahasuar me variantin gegë – pra, me shumë pak barasvlerë;
– Kodifikimi nënkupton që folësit duhet t’i shkruajnë format e sakta – të përzgjedhura nga varianti që është standardizuar – në këtë rast të variantit toskë. Në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) u propozua dhe u pranua një tufë rregullash që herë-herë ishin edhe të paargumentueshme shkencërisht, sepse shihej dhe shihet edhe sot, që mungoi argumentimi shkencor karshi elitave politike të asaj kohe (komuniste).
– Kultivimi: një gjuhë standarde që përzgjidhet e kodifikohet, patjetër kërkon edhe kultivimin e saj.
– Pranimi: gjuha standarde, kur pothuajse kalon me sukses të gjitha fazat e standardizimit, kërkon edhe fazën e rishikimit në mënyrë që të maten dhe testohen gabimet e mundshme të kohës, që përfundimisht të shkojë edhe deri te faza e fundit, e që është pranimi. Pra, një gjuhë pranohet që është standardizuar kur kalon nëpër këtë rrugë dhe kalon me sukses fazat e cekura më lart.
A i ka kaluar shqipja këto faza? Standardi gjuhësor i shqipes ka kaluar fazën e përzgjedhjes, kodifikimit, kultivimit (jo mjaftueshëm), por që i mungon ajo e rishikimit dhe e pranimit.
Duke marrë parasysh kriteret dhe përmbushjen e tyre, mund të përfundojmë se gjuha shqipe nuk është e standardizuar, por që ka një tufë rregullash që herë-herë po i shërbejnë për të mirë e herë-herë po e ngufatin atë.
Një çështje tjetër që ngatërrohet shumë shpesh në diskursin publik dhe nganjëherë edhe në atë shkencor (fushë të ngushtë – gjuhësisë) është mosqartësimi apo moskuptimi i drejtë i fjalës standard. Siç thamë edhe më lart, standardi është vetëm një varietet artificial dhe nuk përbën gjuhën në tërësi. Pra, standardi nuk është gjuha.
Një pikë tjetër ku gjithmonë ekziston debati është që standardi dhe dialektet nuk janë një, por nuk janë edhe shumë të ndryshëm. Dallimi i vetëm që ekziston mes standardit dhe dialekteve është prestigji: një standard ka një prestigj që një dialekt nuk e ka (Hudson, 2002; 42).
Ndikimi i internetit në shkrimin e shqipes standarde
Me futjen në përdorim të pajisjeve elektronike është shtuar pesha e asaj që shumë herë quhet edhe gjuhë e internetit, me të cilën duhet kuptuar ligjërimi elektronik, një lloj i ri i shfaqjes së gjuhës krahas ligjërimit të përditshëm.
Ligjërimi elektronik ka marrë hov edhe me krijimin e rrjeteve sociale, duke u përdorur për komunikim midis individëve për një mesazh më të shpejtë. Madje, kohën e fundit, në këto rrjete sociale (“Facebook”, “Instagram”, “Snap” etj.) është bërë njëfarë kriteri për shkrimin e shqipes standarde, për të cilin, nëse eventualisht dështon në shkrimin e formave të sakta, të korrigjojnë dhe të përqeshin. Kjo është një ndihmesë sepse krijon një përdorim paralel me atë të librave e gazetave.
Mirëpo, për shkak të kohës dhe shpejtësisë së shkrimit, gabimet janë të natyrshme. Këto rrjete sociale kanë zëvendësuar shkronjën ë me e dhe ç me q. Pothuajse shumica e kuptojnë këtë marrëveshje dhe nuk e cilësojnë si mosdije.
Pa asnjë dyshim gjuha e internetit është pasqyrë e mirë e shfaqjes së njohjes së standardit gjuhësor, por nuk është përgjegjëse për “prishjen” e tij. Pra, ajo vetëm zbulon disa të meta të zbatimit dhe tregon shkallën e përvetësimit nga folësit që e shkruajnë.
Mbrojtja e standardit gjuhësor
Kur flasim dhe diskutojmë për varietetin standard të gjuhës shqipe duhet të jemi në gjendje t’i dallojmë dy aspekte: njëri aspekt është ai i përdorimit, një tjetër aspekt është ai i vështrimeve teorike rreth standardit.
Duke u nisur nga kjo kuptojmë se ky standard (aktual) duhet t’u shërbejë folësve dhe jo e kundërta. Duke marrë parasysh atë që thamë më lart (shih A është shqipja e standardizuar?), përfunduam që gjuha standarde ka nevojë për kalimin e disa etapave vijuese për një përdorim më të mirë. Nisur nga kjo, gjuhëtari Rami Memushaj (2015:373) thotë se gjuha standarde është një mal që s’e shemb dot duke i hapur ca tunele. Në këtë drejtim bie ndesh së pari ajo që përmendëm për fazat e standardizimit dhe, së dyti, që standardi gjuhësor duhet të jetë në shërbim të folësve dhe jo e kundërta.
Pra, kur themi përmirësim nuk nënkuptojmë përmbysje, sepse mendojmë se ky standard, me pak të meta që ka, lirisht mund të konsiderohet si një nga arritjet më të mëdha të shek. XX. Por, shoqëria jonë sa i përket standardit duhet të jetë më e hapur sepse gjer më tash kemi dy lloje qëndrimesh:
– qëndrim i betonuar,i atyre që thonë se nuk duhet hequr asnjë tullë kësaj ndërtese, dhe
– liri e tepruar e atyre që për çdo pikë a presjeje duhet të mbahen kongrese e të ndërhyjnë në të.
Në gjithë këtë katrahurë, mendojmë se duhet gjetur një rrugë e mesme.
Këto dy lloje qëndrimesh mund të sjellin edhe teori konspirative për mbrojtjen me ligj të standardit gjuhësor, që mund të vijnë nga ata që e duan gjuhën dhe që ia duan të mirën. Por, një çështje duhet sqaruar: nga kush ta mbrojmë atë standard?
– Nëse mendohet të mbrohet nga ata që kanë një liri të tepruar mbi standardin, ndoshta edhe mund të pranohej;
– Nëse mendohet të mbrohet nga ata që po bëjnë shkelje normative, ndoshta edhe mund të pranohej.
Por, nuk duhet harruar një gjë: ata janë folës të shqipes dhe nuk mund t’ua ndalojmë atyre të flasin e shkruajnë gjuhën (gjuhën 2.) e tyre. Kjo është shkelje normative e standardizimit.
Thamë këtë sepse kohën e fundit (vitet e fundit) ka qarkulluar një ide e disa gjuhëtarëve nga Shqipëria, si: Memushaj, Lafe, Shkurtaj, që t’i drejtohen me një letërpropozim kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të mbrohet shqipja standarde me ligj të veçantë. Kjo ngjalli shumë debat mes gjuhëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova në të cilin, pashmangshëm, po futemi edhe ne.
Prof. Seit Mansaku këtë letër e quajti fyese. “Letra e profesorëve për Ramën, fyese” (gazeta “Dita”, 2014).
Mendojmë se propozimi i profesorëve ishte i ngutshëm, jo dashakeq, por i pamenduar mirë, sepse asnjëherë nuk duhet harruar atë që standardi gjuhësor ndihmohet nga varietetet e tjera (dialektet) që të mbijetojë. Dhe, si mund të mbrohet një varietet i caktuar me ligj të veçantë karshi të tjerëve?
Propozimi i gjuhëtarëve të lartpërmendur ka tri defekte:
– i pasaktë,nuk mund të flitet për shkatërrim të gjuhës;
– johistorik,sepse shqipen nuk kanë mundur ta shkatërrojnë as perandoritë më të fuqishme, e lë më folësit e saj, dhe
– i pamenduar mirë,sepse nuk mund ta mbrojmë një varietet gjuhësor prej folësve të tij shqiptarë.
Krejt në fund duhet ta përsëritim edhe një herë se përmirësimi i standardit nuk nënkupton përmbysjen e tij. Dhe, kjo bie ndesh me thënien e shkrimtarit Rexhep Qosja, që “shqiptarët janë i vetmi komb, ajka e të cilit kritikon gjuhën standarde”.