Site icon Telegrafi

“Squid Game” është zyrtarisht seriali më i shikuar ndonjëherë në Netflix, arrin 111 milionë shikime

Foto: Youngkyu Park/Netflix/AFP/Getty Images

Seriali dramë i Koresë së Jugut, “Squid Game” është bërë seriali më i popullarizuar ndonjëherë i Netflix-it, duke tërhequr 111 milionë fansa që nga debutimi i tij më pak se katër javë më parë, tha gjiganti i shërbimeve të transmetimit të martën.

Hiti global shtjellon temën e njerëzve të margjinalizuar që ballafaqohen kundër njëri-tjetrit në lojërat tradicionale të fëmijëve, ndërsa fituesi mund të fitojë miliona para dhe lojtarët që humbasin, vriten.

Përhapur në të gjithë botën, veçanërisht përmes bujës në rrjetet sociale, “Squid Game” ka kryesuar listat e Netflix-it në më shumë se 80 vende, shkruan The Guardian.

“’Squid Game’ ka arritur zyrtarisht 111 milion fansa – duke e bërë atë serialin tonë më të madh ndonjëherë!”, shkroi kompania Netflix në Twitter.

Për krahasim, “Bridgerton” arriti 82 milionë shikime në debutim, duke përdorur metrikën e brendshme të Netflix-it, e cila përfshin çdo llogari që shikoi një episod për të paktën dy minuta.

Suksesi i “Squid Game” përforcon ndikimin gjithnjë e më të madh të Koresë së Jugut në kulturën popullore globale, pas arritjeve të tjera që kanë shënuar grupet muzikore si BTS dhe filmi “Parasite”, i cili u shpall fitues i çmimit “Oscar” këtë vit.

Foto: Squid Game/Netflix

Është gjithashtu suksesi i fundit për ofertën e Netflix-it për të prodhuar më shumë përmbajtje në gjuhën ndërkombëtare dhe jo-angleze. Seriali i tretë aktualisht më i shikuar në Netflix është një serial në gjuhë të huaj, përkatësisht “Lupin” – serial në gjuhën frënge.

Netflix ofron “Squid Game” në të dyja versionet e dubluara dhe të titruara në gjuhë të shumta, duke zgjeruar audiencën e saj të mundshme.

Në shkurt, platforma më e njohur e shërbimeve të transmetimit në botë njoftoi planet për të shpenzuar 500 milionë dollarë vetëm këtë vit në seriale dhe filma të prodhuar në Korenë e Jugut. /Telegrafi/

Exit mobile version