Më 19 shkurt, Kryetarja e Dhomave të Specializuara (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi modifikimin e dënimeve të Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari dhe mundësoi lirimin e tyre më 21 shkurt 2025, me kushtet e përcaktuara në vendimet përkatëse.
Këto kushte do të mbeten në fuqi deri në përfundim të dënimeve të dhëna nga trupi gjykues, domethënë për pjesën e mbetur të dënimit me dy vjet që iu shqiptua secilit prej tyre.
“Për marrjen e vendimit, kryetarja u këshillua me gjykatësit e Trupit Gjykues që shqiptoi dënimin, sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) si dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se kryetarja konstatoi se, megjithëse veprat penale për të cilat Januzi dhe Bahtijari u shpallën fajtorë janë padyshim të rënda, duke pasur parasysh pasojat që ka frikësimi i dëshmitarëve për administrimin e drejtësisë, ekzistonin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tyre.
Vendimet e Kryetares, që janë vendimi i tretë dhe i katërt mbi uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimeve, mund t’i gjeni këtu në faqen e internetit të DHSK-së (Januzi; Bahtijari).
“Procedura në lidhje me uljen, modifikimin dhe ndryshimin e dënimit sipas nenit 51(2) të Ligjit, është procedurë më vete. Kur personi i dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtën që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet”, bëhet e ditur tutje./Telegrafi/