Site icon Telegrafi

Sot zhvillohen ndeshjet e xhiros së fundit në BKT Superligë, vëmendja tek ndeshjet e skuadrave që kërkojnë t’i shmangen barazhit

Edicionit 2021/22 në BKT Superligën e Kosovës po i vije fundi me ndeshjet e xhiros së fundit që zhvillohen ditën e sotme.

Kampioni tanimë dihet që është Ballkani për herë të parë në histori të klubit, por edhe skuadrat që do të luajnë në Evropë si Drita, Gjilani e Llapi.

Dy skuadrat që bien direkt nga elita e futbollit kosovar janë Feronikeli nga vendi i fundit dhe Ulpiana e parafundit.

Ndërkohë sfidë e madhe po luhet për t’iu shmangur pozitës së tetë, pozitë që e dërgon skuadrën që mbetet aty në fund në barazh.

Malisheva dhe Dukagjini përballen në stadiumin Liman Gega në Malishevë, ku dy skuadrat kërkojnë shpëtimin.

Vendasve iu kryen punë vetëm fitorja për t’i ikur pozitës së tetë, derisa mysafirët do të jenë të kënaqur edhe me barazim.

Drenica që ndodhet për momentin në pozitën e tetë ka punë më të lehtë, pasi luan përballë Feronikelit tanimë të rënë.

Edhe Prishtina nuk ka asgjë të sigurt dhe synon fitoren në udhëtim te Llapi për t’iu shmangur barazhit.

Ndeshje shumë interesante, por edhe festë pritet të zhvillohet në Suharekë. Ballkani pret Gjilanin ku synon ta mbyllë kampionatin me fitore, derisa mysafirët duan fitoren për pozitën e dytë.

Ndeshja e fundit, por jo nga rëndësia zhvillohet në Gjilan mes Dritës dhe Ulpianës.

Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme në BKT Superligë fillojnë nga ora 15:00. /Telegrafi/

Exit mobile version