Sot (e mërkurë) janë në orar për t’u zhvilluar ndeshjet kthyese në kuadër të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës.
Kupa e Kosovës do ta zhvillojë aktin e parafundit para finales së madhe, pasi sot zhvillohen ndeshjet e dyta gjysmëfinale.
Ndeshja kryesore dhe më interesante padyshim se zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku Llapi pret Prishtinën.
Llapi ka humbur ndeshjen e parë me rezultat 2-1 dhe synon ta shkrijë disavantazhin për ta siguruar një vend në finale, me Prishtinën që synon ta mbajë epërsinë dhe të jetë vet ekipi i kualifikuar.
Më pak interesant pritet të jetë në Prishtinë, ku Ramiz Sadiku pret Dritën.
Ndeshja e parë në Gjilan ka përfunduar me fitoren e Dritës 3-0 dhe “Intelektualët” me një këmbë janë në finalen e madhe.
Të dy takimet pritet të nisin nga ora 14:00. /Telegrafi/