Site icon Telegrafi

Sondazhi si mjet i dhunimit dhe bindjes

Ilustrim

Nëse do të linim mënjanë librat e George Orwellit apo ato të Aldoux Huxleyt dhe do të provonim të debatonim vërtet lidhur me faktet dhe jo në situatë distopie rreth jetës sonë të përditshme, do të ishte tejet e vështirë që të kuptonim rezultatet e një sondazhi të fundit, që e nxjerr kryeministrin Edi Rama si më të preferuarin mes politikanëve që kërkojnë fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.

Pa dyshim që ai ka pasur e do të ketë ndjekësit e vet politikë, të cilët jo domosdoshmërisht lidhen me përfitimin nga qeverisja e tij. Ka shumë votues që nuk do të përdorin kurrë arsyetimin, jo vetëm për PS-në, por edhe për parti të tjera, pasi preferojnë bindjen pa fakte. Por, ajo që është trishtuese, është kur ata që duhet të jenë vërtet zëri i atyre që qeverisen, gazetarë e analistë, bëhen pjesë e një gënjeshtre të hapur. Askush nga ata që po përdor këto ditë të dhënat e sondazhit nuk shpjegon se ku dhe se për çfarë janë pyetur të anketuarit në sondazhet ku Edi Rama del sërish më i votuari. Sepse do të ishte më se e habitshme që shqiptarët të jenë të kënaqur këto katër vitet e fundit, për të mos thënë tetë vite, nëse janë pyetur në lidhje me funksionimin e gjyqësorit, pasi do të mjaftonin dosjet e panumërta për gjykim në Gjykata, që këtu ai të mos arrinte të merrte as miratimin e socialistëve të tij.

Më katastrofike do të ishte po të jenë pyetur lidhur me integrimin në BE, kur Shqipëria, në vend të hapjes së negociatave, ka marrë vetëm shtimin e kushteve që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësinë e qeverisjes së Edi Ramës, që është tallur me dekorata e festa pa ftesë. Nëse njerëzit janë pyetur lidhur me rezultatin e dosjeve të përgjimeve që ka mbyllur Prokuroria (ajo “184” e, ndoshta shumë shpejt, “339”), situata do ishte po aq qesharake, pasi tashmë nuk ka shqiptar që nuk e ka dëgjuar për lidhjen e drejtpërdrejtë që ka Edi Rama me të fortët si personalisht, ashtu edhe përmes ministrave të tij. Ndërkohë që ishte vështirë të gjeje votues në favor të tij nëse e pyesje për rezultatin që ka dhënë përfshirja nga Kryeministri në politikë të emrave të inkriminuar si Prenga, Frroku, Rroshi e më të fundit në zgjedhjet bashkiake pa rivalë më 2019.

Atëherë, për çfarë qenkan pyetur të intervistuarit në sondazh, kur Rama qenka ende më i votuari, madje me diferencë nga kreu i opozitës? Edhe në qoftë se është pyetur se si është menaxhuar situata pandemike apo në lidhje me rindërtimet pas tërmetit, është utopike të besosh te lumturia e njerëzve, pasi edhe në vendet më të zhvilluara, ku qeveria ka qëndruar pranë të dëmtuarve me pagesa e jo me shifra mëshirimi, ka pasur gjithmonë pakënaqësi.

Ka vetëm një version që vjen i besueshëm: nëse sondazhi është bërë nga numëratori i PS-së me mbështetësit e vet. Nga ai numër, ku përgjigjen të majtët, ka shumë mundësi që Rama të jetë ende i pari në kryesim. Ndoshta jo me aq diferencë, por gjithkush është i bindur se nëse sondazhi bëhet nga numëratori i PS-së me njerëzit e PS-së, Basha nuk do t’ia kalojë kurrë në renditje. As LSIja nuk ka pse të ketë ndonjë avantazh në atë telefoni.

Ajo që është e pakuptueshme profesionalisht, është fakti se gazetarë e analistë nisin t’i debatojnë të dhënat e sondazhit në studio televizive, sikur vërtet aty të kishte ndonjë profesionalizëm, sikur të jenë përdorur kampionë me pjesëmarrje të modeleve shkencore të sondazheve. Kjo pjesëmarrje në përhapjen e gënjeshtrës është një pjesëmarrje e atyre që duhet të jenë “avokatët” e të qeverisurve në fabrikimin e bindjes së gënjeshtërt, në mos edhe një dorëzim i tyre pas kënaqësisë së pushtetit.

E teksa sheh edhe gazetarë e analistë të rreshtuar “në kulturën e bindjes”, nuk kemi pse të ankohemi kur edhe polici sillet me publikun sikur të jetë pronar i së drejtës së çdo qytetari. Nuk kemi pse të habitemi kur ai që vjedh, e shikon me përbuzje të ndershmin. Nuk kemi pse të ankohemi kur avokati nuk merret me faktet, por me gjetjen e fijeve politike që bindin gjyqtarin apo prokurorin. Sepse media është një pasqyrë ku shihemi të gjithë, kush më pak e kush më shumë.

Gjithkush që këmbëngul të mbrojë të tilla sondazhe, ku nuk ka pyetje lidhur me atë që ndodh realisht me jetën e shqiptarëve, vetëm sa merr pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në dhunimin e publikut. Përhapja e së keqes si normale është gati kriminale, pasi fsheh të keqen, fsheh dhunën, e mbi të gjitha, jep idenë e gabuar sikur e keqja qenka normale. Kjo këmbëngulje djallëzore në thelbin e vet ka dekurajimin e çdo njeriu të ndershëm që të marrë pjesë në jetën politike e të besojë se duhet të zgjedhë vetë. Duke dhënë idenë se shumica e njerëzve duan padrejtësinë, se shumica përkrahin trafikun e dogës, se qytetarët nuk shqetësohen për gjyqësorin apo se nuk shqetësohen kur të zgjedhurit vjedhin a gënjejnë, “analistët e bindjes” bëhen pjesëmarrës në planin djallëzor për ta bërë të keqen edhe më të pushtetshme. Pikërisht për të kundërshtuar këtë projekt antikombëtar, është e nevojshme që sondazhe të tilla të hidhen në kosh, pasi te çdo popull ekziston një shumicë absolute që dëshiron të udhëhiqet nga e mira e jo të jetë skllav i perversitetit – një perversitet që fshihet pas gënjeshtrave dhe fabrikimit të fakteve. Pa dyshim që edhe në Shqipëri kjo shumicë e mirë ekziston.

Exit mobile version