Kush duhet të luajë si partner i Amir Rrammanit në qendër të mbrojtjes te Përfaqësuesja e Kosovës? Ky është sondazhi i krijuar nga portali Telegrafi për lexuesit e saj.
Kosova do të luajë dy ndeshje gjatë muajit tetor në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katari 2022”.
Dardanët do të ndeshen fillimisht kundër Suedisë më 9 tetor, ndërsa ndaj Gjeorgjisë do të luajë më 12 tetor në ‘Fadil Vokrri’.
Përzgjedhësi Bernard Challandes ka publikuar tashmë listën e lojtarëve të ftuar, ku thuajse gjithë lista janë emra të njohur dhe të ftuar më parë.
Megjithatë, reparti i qendrës së mbrojtjes është pika ku ekipi i Kosovës po çalon dhe po has në vështirësi.
Kapiteni Amir Rrahmani është betonuar në pozitën e tij, por partneri i tij jo rrallëherë është ndërruar.
Fidan Aliti, Betim Fazliji, Mirlind Kryeziu, Mërgim Vojvoda dhe Ibrahim Dresevic kanë qenë emrat që e kanë mbështetur Rrahmanin herë pas here.
Megjithatë, Vojvoda është një anësor i deklaruar, Dresevic tani shihet më shumë se një mesfushor defensiv dhe Aliti, Fazliji e Kryeziu kanë mbetur emrat më të mundshëm për partner të Rrahmanit.
Portali juaj Telegrafi ka krijuar një sondazh me pyetjen se “Kush duhet të luajë në qendër të mbrojtjes së Kosovës së bashku me Rrahmanin?”.
Më poshtë të gjithë ju lexues mund të bëheni pjesë e sondazhit dhe të shprehni mendimin tuaj, duke klikuar mbi emrin e lojtarit. /Telegrafi/