Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva ka folur për numrin e turistëve që ka pasur vendi ynë gjatë vitit 2024. Ai gjithashtu ka përmendur disa nga shqetësimet që kanë si odë, e për të cilat shpreson që do të gjejnë zgjidhje gjatë vitit 2025.
Sogojeva ka thënë se numri i turistëve në vendin tonë varet edhe nga zhvillimet që ndodhin.
“Nëse e bëjmë njëfarë krahasimi mes 2022 dhe 2023, përqindja ka qenë më e madhe, do të thotë 25% e turistëve është rritë brenda të themi të njëjtës periudhë 2022 e 2023, ndërsa nëse e krahasojmë 2023 e 2024, edhe pse kemi një rritje, megjithatë e kemi një një ulje do të thotë diku 13.7% na del kjo statistika, ndërsa përpara kemi pasur 25%.Kjo është pak a shumë edhe lidhet pak me situatën dhe me me zhvillimet e ngjarjet e përditshme. Do të thotë, për shembull, është gjynah sot për turizmin me u përmend fjala luftë”, theksoi ai.
Sogojeva në intervistën për Telegrafin tha se fjala luftë duhet të largohet nga fjalori për shkak se kjo ndikon negativisht edhe te turistët.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për disa shqetësimet që kanë si Odë e Hotelerisë dhe Turizmit.
Ai theksoi se gjatë vitit 2025 duhet të ulët TVSH dhe po ashtu të rregullohet çështja e kuponëve fiskalë.
“Në vitin 2025 patjetër duhet të ulët TVSH. Asnjë shtet në rajon nuk e ka 18%. Vetëm ne e kemi 18% sidomos në akomodim. Duhet të lirohet edhe TVSH në produkte bazë, për shembull, në qoftë se ti sot shkon e blen një kilogram kafe, llogaritë e para katër viteve sa e ke ble e sa është sot”, theksoi ai.
Ai po ashtu u shpreh se duhet të ekzistojnë mekanizma që rregullojnë çështjen e kuponëve fiskalë.
“E dyta, duhet me rregullu puna e kuponëve fiskalë, pse të bëhet ashtu, mos të them ashtu torturë edhe për klientin, edhe për punëtorët që punojnë ato, çdo pije kuponi fiskal. Ekziston mekanizëm, duhet me ekzistu një mekanizëm, i cili kish me rregullu këtë”, tha ai derisa tha se duhet të krijohen politika lehtësuese për biznese.
Sogjeva po ashtu tha se Kosova vazhdon te jetë e vetmja në rajon që nuk e ka Agjencionin Kombëtar të Turizmit, dhe se ko duhet të bëhet sa më shpejtë./Telegrafi/