Site icon Telegrafi

Smaka: Kushtetuta duhet ndryshuar, s’duhet të ketë vakum juridik

Prej konstituimit të Kuvendit e deri në mandatimin e kandidatit për kryeministër nga Presidenti nuk ka afat, prandaj sipas njohësve të Kushtetutës, ky është një vakum juridik që duhet të ndryshoi.

Kreu i shtetit e priti të hënën, Albin Kurtin që ta marrë mandatin për formimin e qeverisë, mirëpo ky i fundit nuk e kishte ende një emër për kryeministrin e ri të vendit.

Pas takimit Presidenti Hashim Thaçi, i dha edhe 48 orë kohë që ta propozoi kandidatin për të parin e ekzekutivit.

Njëri ndër hartuesit e Kushtetutës, Riza Smaka thotë se nga konstituimi i Kuvendit, deri në mandatimin e kandidatit për kryeministër nga Presidenti nuk ka afat, prandaj sipas tij kjo është një vakum juridik që duhet të ndryshohet.

“Hiq më pak se 45 dispozita nga Kushtetuta aktuale do të duhej të plotësoheshin, ndryshoheshin dhe të përmirësoheshin. Edhe ky afat do të duhej të precizohej në mënyrë që të mos lejoheshin mundësi të interpretimeve jo në këtë variant apo atë variant”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Riza Smaka.

Smaka po e lë fajtor LDK-në për gjendjen e krijuar pas zgjedhjeve, ngase i rëndoi bisedimet mes dy partive rreth çështjes së presidentit.

“Presidenti nuk është temë për zgjedhjet e përgjithshme. Do të duhej të formohet Kuvendi dhe nga Kuvendi edhe Qeveria”, deklaroi më tej Riza Smaka përcjell Telegrafi.

Të dy partitë Vetëvendosje e LDK fillimisht kishin takime mes grupeve punuese për harmonizimin e programit qeverisës, mirëpo edhe tre muaj pas zgjedhjeve ata nuk gjeten pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version