Site icon Telegrafi

Sizmologu tregon a përbën rrezik për Shqipërinë tërmeti në Turqi

Pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Turqinë të hënën, pyetja kryesore që është ngritur është: sa e rrezikuar mund të jetë Shqipëria pas këtyre lëkundjeve?

Në një prononcim për mikrofonin e A2 CNN, sizmologu Edmond Dushi tregon se distanca nga zona e prekur mbetet shumë e madhe dhe energjia sizmike e lëshuar nuk pritet të ketë ndikim në vendin tonë.

Po ashtu ai shpjegoi se Shqipëria ndodhet në krahun perëndimor të pllakës tektonike Euro-aziatike, një pllakë e ndryshme nga ajo Anatoliane. Megjithatë, pas këtyre lëkundjeve të fuqishme, pritet që edhe rajoni i Mesdheut të destabilizohet nga pikëpamja sizmike.

“Shqipëria shtrihet në krahun perëndimor të pllakës Euro-aziatike, kjo është një pllakë e ndryshme nga ajo Anatoliane. Distanca është shumë e madhe, energjia nuk jep impakt të drejtpërdrejtë. I gjithë rajoni i Mesdheut në të tilla raste destabilizohet, ka një rishpërndarje të deformimeve dhe sforcimeve tektonike që rezultojnë në tërmete në të ardhmen.”

Situata sizmike në Turqi po monitorohet aktualisht edhe në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Tërmeteve. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version