Site icon Telegrafi

Sindroma e zorrës së irrituar, nga vjen dhe si ta ndaloni

Si trajtohet koliti dhe sa ndikojnë dietat, temperaturat e ulëta dhe streset e ditës? Si mund ta dalloni në kohë se vuani nga kjo sëmundje, në mënyrë që ajo të mos avancojë dhe cilat janë shqetësimet që vijnë prej saj?

Në tekstin e mëposhtëm do të gjeni të gjitha përgjigjet për simptomat, pasojat dhe trajtimet mjekësore që duhet të ndiqni për parandalimin e kolitit në kohën e duhur.

Shenjat e para të kësaj sëmundjeje janë dobësimin i imunitetit trupor dhe aftësive mendore. Lënia pas dore e këtyre problemeve nga pacienti mund të sjellë që kjo sëmundje të avancojë, duke u shndërruar në kronike.

E rëndësishme është mënyra e parandalimit të saj në rrugë natyrore, ndërsa për rastet më të rënda mund të përdoren edhe medikamentet, transmeton Telegrafi.

Çfarë është dhe si shkaktohet sindroma e zorrës së irrituar tek pacientët?

Ajo njihet në gjuhën popullore si “acarim”, i pareteve të zorrës. Fenomen, i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shfaqjen e problemeve në jashtëqitje, duke shkaktuar konfuzion dhe çrregullime të vazhdueshme në aparatin tretës.

Kryesisht është një sëmundje, që manifestohet nga shkaktarë të ndryshëm natyrorë dhe të stimuluar. Një ndër më të zakonshmit nga shkaktarët është i ftohti që mund të ndiejë pacienti gjatë stinëve të lagështa. Kjo çon në paralizimin e funksionit të këtij aparati, duke vështirësuar qarkullimin dhe largimin e lëndëve të panevojshme nëpërmjet jashtëqitjes. Ndërkohë, një kontribut të fuqishëm në përhapjen e kësaj sëmundjeje luan edhe gjendja psikologjike, në të cilën ndodhen pacientët.

Luhatjet e tepërta e të vazhdueshme të humorit ndikojnë në pjesën më të madhe të rasteve në shfaqjen e këtij kolitit. Gjithashtu edhe mënyra se si ushqehemi ndikon në shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Ndjekja e dietave të shumta mund të çojë në mosthithjen e elementeve të ndryshme në organizëm, duke i vështirësuar procesin e tretjes së ushqimit.

Lexo po ashtu Nëse vuani nga koliti, harrojeni shijen e këtyre ushqimeve: Përkeqësojnë seriozisht shëndetin tuaj

Si mund të kuptohet nga pacienti se vuan nga kjo sëmundje?

Një ndër karakteristikat themelore të kësaj sëmundjeje është dhimbja që pacienti ndien në bark. Dhimbje e cila pëson përhapje sa nga njëri skaj i barkut në tjetrin, duke sjellë shqetësime në mënyrë të vazhdueshme. Por në të shumtën e rasteve, kjo dhimbje shoqërohet dhe me çrregullime të ndryshme që pacientit i vë re gjatë jashtëqitjes së tij.

Ajo mund të shkaktojë diarre, ose mund të vështirësojë procesin e jashtëqitjes. Ndërkohë që një simptomë tjetër është dhe kombinimi i të dyjave si diarresë dhe vështirësisë, që ndien pacienti gjatë të dalit jashtë. Kryesisht këto simptoma shkaktohen dhe nga problemet që lindin me tretjen e ushqimeve të papërthithura nga aparati tretës. Një shenjë tjetër dalluese është dhe rëndimi i stomakut nga mostretja si duhet e ushqimeve dhe e gurgullimave që mund të ndihen në zorrë.

Tek cilët individë është më i përhapur koliti?

Kryesisht më e ekspozuar ndaj prekjes së këtij lloj koliti është gjinia femërore. Shkak për këtë bëhen dhe problemet e shumta emocionale që ato hasin çdo ditë. Por kjo nuk do të thotë, që janë të përjashtuar nga prekja e këtij fenomeni meshkujt. Ndërkohë, kategoritë më të prekura janë moshat e reja dhe kjo mbetet një ndër fenomenet më shqetësuese për ekipet mjekësore.

Lëkundjet e humorit mund të ndodhin dhe për shkak të problemeve që mund të krijohen nga gjëndra tiroide. Kjo e fundit ndikon në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, për vetë faktin se ndikon në shtimin e stresit tek të dyja kategoritë.

Lexo po ashtu Shpëtoni nga problemet me kolitin duke përdorur këto dy receta krejtësisht natyrale

Cilat janë ekzaminimet që duhet të bëjnë pacientët?

Për këtë lloj sëmundjeje nuk bëhen ekzaminime specifike, por përdoren ato që njihen ndryshe si ekzaminime përjashtuese. Në saj të përjashtimit të patologjive të tjera vërehet, nëse pacienti vuan nga kjo sëmundje apo është fryt i një sëmundjeje tjetër. Kur verifikimet për patologjitë e tjera dalin në rregull dhe shfaqen simptomat e përmendura pak më lart, atëherë është e sigurt që pacienti vuan nga ky lloj koliti. Kështu ai këshillohet të bëjë një radioskopi të zorrës.

Kjo aparaturë bën përjashtimin e patologjive të tjera të zorrës, siç mund të jenë ulcerat, hemorragjitë apo sëmundje të tjera. Derisa ngelen vetëm shenjat e këtij lloj koliti. Karakteristikja dalluese edhe në radioskopi është dhimbja e fortë e barkut, e cila nuk është statike. Për rastet më të rënda ndodh që pacienti të ketë dhe rrjedhje hemorragjie gjaku në jashtëqitje. Këto ndodhin vetëm në stadet e avancuara të sëmundjes kur konstipacioni është aq i fortë, duke shkaktuar çarjen e zorrës në fund të saj dhe shkakton rrjedhjen e gjakut. Menjëherë sapo pacienti bie në gjendje stresi ndjehet dhe shfaqja e këtij koliti. Për kjo ndodh në rastet më të rënda.

Si mund të parandalohet përhapja e mëtejshme e kësaj sëmundjeje?

Një ndër mënyrat më të mira për të shmangur përhapjen e mëtejshme të këtij koliti dhe kthimin e tij në shenjat klinike kronike është ndjekja e një diete të rregullt ushqimore dhe një regjim i duhur emocional pa luhatje të ndikimeve emotive. Kështu është e këshillueshme për pacientët, që të mos përdoren ushqimet e thata me yndyra, apo me vlera të larta ushqimore, të cilat nuk mund të thithen nga aparati tretës.

E rëndësishme është dhe eliminimi i gjërave dhe pijeve me gaz. Ndërkohë që këshillohet konsumimi në masë i ushqimeve të lëngshme. Gjithashtu rekomandohet të eliminohen produktet ushqimore që rrisin gazrat në zorrë si lëngjet e gazuara, lakrat, mollët, kumbullat, bizelet, fasulet, qumështi etj. Të bëhen disa ushtrime fizike për zonën e barkut, sepse kjo ndihmon në nxitjen e motorikës së zorrës.

Këtu element i rëndësishëm është dhe shmangia e të ftohtit. Ky është shkaku kryesor, në të cilin fillon dhe shfaqja e sëmundjes së dhimbjeve të barkut. Kjo kategori, po të vërë diçka të ngrohtë pranë këmbëve dhe të pinë çaj të ngrohtë me kamomil për të qetësuar dhimbjet, situata mund të normalizohet.

Cilat janë trajtimet mjekësore që duhen përdorur për këtë sëmundje?

Kryesisht përdoren dy lloj mjekimesh me barna. E para ka të bëjë me antispastikët. Këto janë medikamente qetësuese, për punën motorike të zorrës dhe ndikojnë në përmirësimin e aparatit tretës. Ato përmirësojnë funksionin e këtij aparati.

Ilaçi më i shpeshtë, që përdoret në këtë rast është në formë tablete dhe merret nga goja. Medikamenti është buskopani, që përdoret tre herë në ditë nga një tabletë. Ndërsa në rastin tjetër, kur sëmundja është e shkaktuar si pasojë e stresit të akumuluar nga pacienti gjatë jetës së përditshme të tij, është i këshillueshëm përdorimi i qetësuesve për sistemin nervor, ku këshillohet libriumi, një tabletë në darkë. Por njëkohësisht këshillohet dhe pirja e gjërave të ngrohta, siç është çaji i kamomilit, pasi ai ndikon në qetësimin e acarimeve të barkut.

Moskurimi në kohë i kësaj sëmundjeje mund të sjellë probleme të mëdha për shëndetin e pacientëve, pasi mund të ndikojë në kthimin e sëmundjes në kronike dhe të vështirë për tu kuruar. Lënia pas dore çon dhe në shfaqjen e problemeve të tjera në zorrë si rrjedhjet hemorragjike në fund të zorrës së trashë, si dhe në mos dalje normale jashtë e pacientit.

Rekomandohet dieta me fibra

Rekomandohet që në regjimin e këtyre të sëmurëve, të mos mungojnë ushqimet që janë burim i mirë fibrash si: drithërat, zarzavatet, frutat e freskëta.

Është e rekomandueshme që gjatë ditës të përdoret për të ngrënë buka e zezë, e cila mban sasi të lartë fibrash, të cilat treten lehtësisht nga aparati tretës, elementë të cilët nuk i përmban buka e bardhë. Kështu, pacienti nuk do të ketë probleme apo vështirësi në jashtëqitje. /Telegrafi/

Exit mobile version