Site icon Telegrafi

Sindikatat kritikojnë Projektligjin për Pagat: Shërbyesit civilë po diskriminohen, personeli politik po avancohet

Përfaqësues të sindikatave kanë kritikuar Projektligjin për Pagat, atë për Shërbyesit Civilë dhe për KPMSHCK-në.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli tha se janë duke i përcjellë këto tri projektligje.

“Ne si BSPK jemi duke i përcjellë me vëmendje këto ligje, që e ndërtojnë sistemin e punës”, tha Hykolli.

Ndërsa Ali Sefaj theksoi se me anë të këtyre ligjeve po avancohet vetëm personeli politik, derisa po diskriminohen shërbyesit civilë.

“Këto tri ligje determinojnë statusin tonë juridik, mirëqenien tonë financiare dhe veçmas nëse këto ligje janë të mira e të duhura do të bëjnë që të kemi reforma të mirëfillta në administratën shtetërore. Projektligji për Paga do të duhej të kishte karakter jodiskriminues. Të parashihte pagë të njëjtën për punën e njëjtë, po ashtu do të duhej ta kishte vlerësimin jetik që do ta kishte secilin nëpunës. Për koincidencë, në këtë draft-ligj janë avancuar stafet politike tejmase, ndërsa personeli profesional duhet t’i kryej punët e përditshme”, tha Sefaj.

Po ashtu, ai tha se është kërkuar që koeficienti në këtë ligj duhet të jetë fiks.

“Ky projektligj nuk ka rrjedhë logjike, po ta kishte një të tillë, atëherë do të duhej të lidhet me pagën minimale dhe vlera prej 132 euro e demanton pagën minimale. Ne kemi kërkuar që vlera e koeficientit të jetë fikse, ndërsa ndryshimi të përcaktohet me ligj dhe ndryshimi të rrjedh mbi rritjen ekonomike dhe inflacioni. Po ashtu, kemi kërkuar që kategoritë që paguhen pak duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe të mos kemi koeficientë nën 4, sepse nuk mund të jetë nën shërbim të republikës”, shtoi ai.

“Sa i përket Projektligjit për Zyrtarët Publikë na janë marrë shumë të drejta që kanë qenë sipas Ligjit për Shërbyesit Civilë”, përfundoi Sefaj. /Telegrafi/

Exit mobile version