Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri i shoqëruar nga Kryetari i Shoqatës Sindikale të DRP Mitrovicës së Jugut Avni Tahiri, ka vizituar Kampin e Njësive të Specializuara Policore në Belvedere ku u informua se gjendja shëndetësore e policëve të lënduar është e mirë dhe pa ndonjë rrezik për jetë.
“Zeqiri gjatë vizitës së tij ka takuar po ashtu edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha me stafin e tij menaxhues, Ministrin e MPB-së Xhelal Sveçla me bashkëpunëtorët e tij, Drejtoreshën e DRP-së të Mitrovicës së Jugut Kolonel Afërdita Mikullovci, zëvendës Drejtorin e DRP-së të Mitrovicës së Veriut, nënkolonel Veton Elshani dhe komandatin e NJSO-së, major Amir Gërguri.
Gjatë këtij takimi kryetari i Sindikatës u informua se gjendja shëndetësore e policëve të lënduar, një ditë më parë, është e mirë dhe pa ndonjë rrezik për jetë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se Zeqiri u informua se gjendja në veri sot është e qetë dhe pa asnjë incident.
“Policia e Kosovës është duke i kryer detyrat e tyre me profesionalizëm të lartë sipas autorizimeve ligjire dhe kushtetuese. Sa u përket kushteve u tha se policia janë të kompletuar me të gjitha pajisjet dhe mjetet e nevojshme logjistike për kryerjen e detyrave zyrtare”, bëhet e ditur në njoftim.
Në këtë takim, me ministrin e MPB-së Xhelal Sveçla u diskutua edhe për mosekzekutimin e shtesave për rrezikshmëri dhe kërkesat e tjera nga Sindikata.
Zeqiri tha se është duke u punuar për të gjitha por, pa caktuar ndonjë afat kohor, por deklaroj se është shumë i vendosur që të bëjë më të mirën e mundshme për policinë.
Kryetari i Sindikatës ka vizituar edhe Drejtorinë Rajonale dhe Stacionin Policor të Jugut të Mitrovicës ku ka takuar zyrtarët policorë dhe eprorë nga të cilët është njoftuar drejtëpërdrejt për kushtet dhe kërkesat e tyre siq janë: shtesat për rrezikshmëri, sigurimi shëndetësor, Ligji për pensionim si dhe kërkesa tjera të njohura për të gjithë.
Përkundër kërkesave, vullneti dhe morali i policëve dhe eprorëve ishte në nivelin më të lartë sa i përket kryerjes së detyrave zyrtare në mbrojtje të rendit, ligjit e kushtetushmërisë së vendit. /Telegrafi/